Që kur në krye të shoqatës antikomuniste të ish të persekutuarëve politikë është zgjedhur publicisti Nebil Cika, një stuhi e pandërprerë kritikash vazhdon të fshikullojë atë dhe një pjesë të ish të persekutuarëve të pavarur, nga të tjerë ish të persekutuar.

Po të përmbledhim objektin e kritikave, ato mund t’i klasifikojmë në tre grupe:

E kritikojnë kryetarin e shoqatës si “mbështetës” i PD dhe kryetarit të saj;
E kritikojnë se PD që “mbështet” shoqata, qenka e mbushur, sipas tyre, me “spiunë”;
E kritikojnë se PD ka zgjedhur deputetë disa djem dhe vajza të reja si Klevis Balliu etj, që nuk janë nga radhët e ish të përndjekurve politikë.

Duhet theksuar se kritikat më të ashpra vijnë nga disa të persekutuar që jetojnë në vendet më demokratike të Perëndimit, ndërsa mbështetësit e shoqatës janë nga radhët e atyre që kanë vendosur të jetojnë dhe të punojnë në Shqipëri.

Pa bërë ndonjë analizë të thellë për të tri çeshtjet, disa pikpamje për to mund t’i shprehim.

Bazuar në statistika të sakta, në PD një përqindje të lartë të antarësisë dhe elektoratit të saj e përbëjnë familjet dhe të afërmit e ish të persekutuarëve dhe të djathtës tradicionale. Nisur nga kjo, shoqatat e të persekutuarëve duhet t’i mbështesin ata, por edhe ata që kanë mandate deputeti duhet të mbështesin shtresën e tyre, nëpërmjet ligjeve të drejta dhe të barabarta.

Por, për të aprovuar ligje duhet mbështetja e deputetëve të tjerë të PD, por edhe e deputetëve të majtë, pasiqë dihet se ligji është vullnet politik i shumicës i shprehur në normë juridike. Dhe shumicën, këto dy mandatet e fundit e ka e majta. Dhe të persekutuarit, si pjesë e popullit, do të shpëtojnë nga vuajtjet, kur të aprovohen ligje të drejta.

Së dyti, atyre që kritikojnë PD se gjoja qenka e mbushur me “spiunë”, natyrshëm do tu bënim një pyetje: ku e dinë ata se sa “spiunë” janë tek PD, PS, etj?!

Ajo që dihet me saktësi të plotë janë emrat e atyre që kanë qenë në strukturat e dhunës të regjimit komunist dhe e të afërmve të tyre, që kanë qenë dhe mbeten pulsi i sigurimit të shtetit dhe i së majtës politike sot.

Po kështu, nuk mund të kërkohet puritanizëm jo më në radhët e partive politike, por as në vetë radhët e ish të persekutuarëve.

Një publikim i pjesshëm i dosjes formulare 2-A, të intelektualit të burgosur e internuar, të ndjerit Lazër Radi, nga i biri, z. Jozef Radi, u tregoi atyre që nuk e dinin se një pjesë e konsiderueshme e agjentëve që e kishin përpunuar intelektualin e njohur, vinte nga radhët e të internuarëve.Te kuptohemi, ata kane qene te detyruar me material shterngues. Këta që akuzojnë sot të tjerët për “spiunë”, a i kanë “kontrolluar” të afërmit e tyre për “pastërti”.

Së treti, ata kritikojnë në mënyrë të përhershme se Basha paska bërë deputet, z. Klevis Balliu e të tjerë të rinj. Natyrshëm mund të bëjmë një pyetje edhe këtu: ç’farë dëmi u paska shkaktuar këtyre zotëria në fjalë, apo babai i tij, kur dihet që babai i tij ka të vetmen gazetë opozitare e cila u ka hapur faqet e saj të burgosurve dhe të persekutuarëve politike, për me shumë se dy dekada.

Së fundi, trajtimi në mënyrë puritane i këtyre ceshtjeve, u bën dëm të pallogaritshëm ish të persekutuarëve. Në politikë vendos vota dhe ish të persekutuarit duhet të bëjnë miq dhe jo të bëjnë armiq ata që nuk i kanë patur si të tillë.

Vlerësimi i njerzve mbi bazën e “biografive”, është praktikë famëkeqe e PPSH dhe regjimit komunist, që ka djegur qindra mijëra të pafajshëm.
Për njerëzit e mirë, praktikat komunisto-fashiste kanë qenë dhe do të mbeten të huaja.
Cdo moralizim është i tepërt, pasiqë e keqja dallohet sa kohë ekziston e mira.

error: Content is protected !!