Gjatë këtyre viteve është krijuar përshtypja sikur kundër regjimit komunist kanë qenë disa dhjetra persona dhe kanë ndodhur 4-5 ngjarje. Per 25 vjet me radhe përkujtohen të njëjtat ngjarje, flasin të njëjtët njerëz dhe kaq. Po kështu, në jetën politike shoqërore promovohen të njëjtët, për vite me radhë, në media janë po ata… gjithnjë ata! Perjashtuar keto dy vitet e fundit qe duket se po ndryshon per mire.

E vërteta e persekucionit politik në Shqipëri ka dimension shumë më të gjërë dhe vlera shumë me të larta se sa na e paraqesin ata.

Në morinë e të vuajturve, ka patur të tillë që kanë kryer vërtet propagandë kundër regjimit, që kanë mbajtur qendrim heroik, që kanë dhënë mesazhe të mëdha kundër tiranisë dhe që vlejnë për çdo kohë.

Njëri nga rastet është ai i dënimit të Nazim Seit Brahimit dhe vëllezërve Ferit e Cuf Tahir Tahja, nga Shkodra, dënuar, i pari me 13 dhe dy të tjerët me nga 10 vjet burg, për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.

Partia e “populli” kërkonin dënime kapitale për ta.

Në një shkresë të Komitetit të Partisë së Shkodrës dërguar Komitetit Qendror të PPSH, më 23 .9. 1975, midis të tjerave, lexojmë se ata kishin shkruajtur nëpër fletushka dhe i kishin shpërndarë: “Poshtë regjimi fashist i Enver Hoxhës”, “ Poshtë regjimi fashist i Tiranës”, “Shqiptar, përmendu, merr forca në të kaluarën tende…30 vjet bukë misri, gënjeshtra, bukë misri premtime…, 30 vjet frikë… zgjohu! 30 vjet dru, dru dhe dru, 30 vjet vrasje, krime, përdhunime, 30 vjet burg, … Bini qenve … Në këmbë për të fituar të drejtën për të qenë njeri… ”

Komiteti i Partisë theksonte: “Deri tani 30 vjet të pushtetit popullor ne nuk jemi ndeshur me një propagandë të tillë kaq cinike, shumë të ndyrë e denigruese ndaj udhëheqjes tonë…”
Çuditërisht, asnjë nuk e ka përmendur emrin e tyre! Sa e sa të tjerë si këta!!!

error: Content is protected !!