Sa herë kishte festa, shumë familje të fshatit ishin në hall; i kishin izoluar për shkak “biografie”. Ç’biografi zeza; vetëm pse disa kishin qenë me Ballin, po me të shumtët indiferentë. Më e izoluar ishte familja e “kulakut” të fshatit. Atë e kishin braktisur miqtë e vjetër, por as të rinj nuk zinte dot.
Ç’ të festonin! Festa nuk bëhet vetëm. Më shumë e ndjenin ata që ishin me biografi disi më të “mirë”, herë i afronin komunistët dhe herë i largonin! Plasën.
Secili mundohej të gjente ndonjë mik të afërt me pushtetin. Që të mos e zgjasim, një ditë u pa tek ngjitej për në fshat miku i një familje të tillë.
-E kemi keq, -i tha i zoti i shtëpisë, -na kanë ndarë më vete, as na vjen njeri as nuk na pranojnë në shtëpi të tyre.
Miku tundi kokën i menduar: -A kini kulak këtu? – i pyeti. -Po, iu përgjegj tjetri, -por me atë nuk bëhemi se na kanë thenë qe jemi më të mirë se ai.
-E paski të zgjidhur problemin, vazhdoi miku; goditeni kulakun, mos e lini të marrë frymë. Kështu fitoni besimin e Partisë.
Ashtu ndodhi. Kur erdhi festa e Vitit të Ri, në shtëpitë e tyre ziente kënga për partinë.

error: Content is protected !!