Në 23 shtator 1944, komunistët i bënë gjyqin dhe e dënuan me vdekje Llazar Fundon, një figurë e shquar e së Majtës, me aktivitet që nga viti 1920, si kryetar i Shoqërisë “Bashkimi”. Ishte një gjyq farsë me pyetje të përgatitura nga Enver Hoxha dhe me dënim të paravendosur. Pyetjet ishin: 1- Pse ka ardhur në Kosovë dhe kush e ka dërguar e me ç’direktivë. 2) Cilët janë qëllimet e Ganiut dhe të Inglezëve. 3) Shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhëtinë e tij. 4) Ç’ lidhje ka me inglizët.

Janë me interes historik përgjigjet e Llazar Fundos:

“Gani Kryeziu në Romë ish i konsideruar si aleat i sigurt i komunistëve. Kishte bashkëpunuar me komunistët më 1941 (luftë kundër italianëve). I vëllai Seid Begu në Paris bashkëponte me S. Malëshovën, Ymer Dishnicën e gjithë komunistët dhe prej shumëve ish i njohur si komunist. Vëllai tjetër, Hasani, luftonte në Shqipni krah për krah me komunistët dhe u ndihte me para e cdo mjet tjetër. Unë, kur ishim në Romë s’kam dashur të vij në Shqipëri. Kryezinjtë ngulën këmbë. Këtë fakt e dinë shokët t’uej Nexhat Dishnica, Stefo Grabocka, e të tjerë. Bile edhe këta deshën një herë (Kështu proponuan në Romë. Lutem të pyeten n’është e mundur). Pranova të vij në Kosovë dorë për dorë. Më parë se të nisemi, Partia italiane me anë të Kusoraci më lypi të hyj në parti. Kusoraci më pyeti edhe se cfarë aktivitet kisha ndërmend të bëja. Iu përgjigja dua ti bashkoj me partinë elementët demokratë ku mund të kenë ndonjëfarë influence. Kusoracvi më tha se s’do të kem besimin e nevojshëm prej anës së Partisë Komuniste për një punë të këtillë. Kusoraci e mban mend mirë këtë bisedë. Me këtë rast Kusoraci më pyeti në kisha ndërment të hyj në Partinë Socialiste Italiane. Iu përgjigja se megjithë simpatinë që tregojnë krerët e partisë socialiste (që i kisha njohur në Ventoteen), dhe me gjithë se këta ishin të njohur si miq të Partisë Komuniste, unë nuk hyj në asnjë parti se karriera ime politike ish e mbaruar…

Ganiu me të vëllanë kur erdhën këtu s’kishin as pikën e dyshimit se do të bashkëpunonin me komunistët. Dhe kështu ngjau. Bashkëpunimi gje këtu e tre muaj më parë ka qenë i plotë, i sinqertë dhe i pakondicionuar. Pas përpjekjes së Cerefit (bile po atë ditë) Fadili me shokë i bënë Ganiut proponimin të hyjo jo si Clirimtare, po në Kosmet. Ganiu refuzoi duke thënë se hyrja e tij në Kosmet do t’ia humbte krejt influencën në popullin e Kosovës gjë që nuk i jepte dorë Kosmetit. Po atë ditë unë fola me një prej shokëve të Fadilit (Fadili ia di emrin) dhe i thashë këto fjalë poshtë – lart”: “Nuk di në Zef Mala ia ka bërë të njohura partisë suaj fjalët e mija. Të lutem ty t’ua përsëritësh shokëve… Unë s’jam komunist. E vërteta është se s’kam qenë kurrë komunist tamam. Jam temperament individualist, marksizmën kurrë s’e kam pranuar tamam. Ata prej shokëve tuaj që më kanë bërë këtë kritikë kanë pasur të drejtë. S’jam komunist, dhe e di që jashtë partisë komuniste s’ka komunistë. Ju jini komunistët e vërtetë. Ju admiroj për punën e madhe që bëni. Ju siguroj se me ç’të mund do t’ju ndihmoj. Kundër jush s’kam për të luftuar kurrë as tërthorazi as drejt për drejt, etj”.

Erdhi proponimi i dytë për Ganinë. Ganiu hezitoi. Po atë ditë unë pacë bisedën që dihet me Fadilin. I përsërita ato që i pata thënë shokut të tij dhe i thashë se dëshironja të vete te Shtabi Kryesor. Ramë në një mendje po për shumë kohë nuk u pamë më (Me anë të Mehmet Hoxhës kërkova të piqem përsëri me Fadilin). Atëherë ardh lajmi se ish nisur Mustafa Gjinishi të vijë te Ganiu. Pritmë si njeri edhe tjetri të vijë Mustafa Gjinishi, me shpresë të rregulloheshin si puna e atdhesimit të Ganiut, ashtu dhe puna e marrëdhënieve të mija me P.K. Fundi, i shkruajta atë pusullen Fadilit ku i lutesha të vinte të merrej vesh me Ganinë sepse, thosha jam i sigurt se Ganiu do të merret vesh dhe shtonja në refuzoftë Ganiu të merrej vesh (gjë që s’e besonja) atëherë unë do të hiqesha prej Ganiut. (Këtë pusullë e ka Fadili. Lutem të kqyret kjo pusullë) Kur u kthye Saidi prej Shqipërisë së Mesme, puna e atdhesimit u vendos dhe pritej vetëm pjekja me Fadilin. Saidi i coi një letër Fadilit … Kusuri dihet…

Tash ju pyesni pse erdhe në Kosovë?

Përgjigja është e thjeshtë: erdha se këtu gjeta shesh ku mund të luftonja kundër gjermanit duke bashkëpunuar me komunistët, me shpresë se kësisoj do t’i rregulloja marrëdhëniet me P.K. dhe pasandaj tës hkoja poshtë. Ata që më njohin mua e dinë që unë nuk jam njeri me dy faqe, dhe nuk jam prej atyre që marrin direktiva që kudo që të vijnë. Kush do të më dërgonte mua në Kosovë? Në qoftë se jeta ime varet, si po duket, prej përgjigjes s’ime n’këtë pyetje, unë s’kam se ç’të bëj veçse ti bindem fatit dhe ta pres vdekjen me stoicizëm. Po dijeni se kini dënuan një njeri të pafajshëm.

Qëllimet e Ganiut i çfaqa. Jam i bindur se nuk ka pasur prapamejtime. Është njeri i ndershëm, mik i sinqertë i komunistëve. Ganiu nuk ka manbicie fuqie si mejtojnë ca. Do vetëm të dalë në shesh si patriot iudealist. Po ti bëni ca koncesione do ta kini ndihmatar të cmuar.

Ganiu me Inglizët ka marrëdhënie të mira. Po me cilët Inglizë? Me Majorin këtu dhe shtabin e tyre në Itali. Po shtabi i Italisë nuk i ka dërguar tjetër fjalë Ganiut vecse që është i kënaqur prej luftërave të tij dhe e këshillon të bashkëpunojë me partizanët. Miqësitë e vjetra të Ganiut me Inglizët nuk i di. Di që bashkëpunoi me ta në 1941 kundër Italisë.

Ç ’qëllime kanë inglizët?

Inglizët, siç dihet kanë dashur ti shtijnë në luftë kundra gjermanit gjithë krenët e Veriut. Kur e panë që nuk u bë gjë hoqnë dorë prej atij mejtimi. Tashti vija e tyre është : Të ndihmojnë kryesisht partizanëve edhe Gani begut të cilin e këshillojnë të bashkëpunojnë me Partizanët.

Tjetër gjë s’kam ç’them për këtë pikë, se nuk ka tjetër. E di me siguri se Majori ka marrë instruksione të ketë marrëdhënie të mira me partizanët. Major ka dy javë a tre, mori një letër prej Ram Mujës i cili kërkonte ndihmë për Partinë Zogiste. Majori iu përgjigj (unë e përktheva letrën) se s’ka ardhur këtu të promovojë partinë zogiste. Përgjigje analoge u ka bërë edhe të tjerë axhentëve të regjimit të Zogut.

E di që kjo përgjigje s’ju kënaq, sepse besoni se unë kam pasur marrëdhënie të thella me Majorin. Po e vërteta është se marrëdhëniet e mia me të kanë qenë ashtu. Bile edhe marrëdhëniet personale s’i kam pasur aq të mira gjithmonë. Po si t’ju bind?

Afati kaloi. S’di më ç’të thom. Po të kisha pasur gjëra për të thënë, do t’i kisha thënë. Po s’mund të çpif për të shpëtuar kryet. Nuk mund ta shkel ndërgjegjen time. Lutem, në është e mundur, fotografitë që kam në çantë t’i çohen nënës s’ime, në qoftë se rron “.

error: Content is protected !!