Gazeta “Bashkimi” që botohej në Shkodër, më 27 shkurt 1910, botonte kryeartikullin e shkruajtur nga Ndoc Çoba, një figurë e rëndësishme në vilajetin e Shkodrës. Ai falënderonte qeverinë osmane, deputetët shqiptarë dhe në mënyrë të veçantë deputetin Esad pashë Toptani, që ishte më aktivi për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë në parlamentin osman. Midis të tjerave, ai vinte në dukje:
“M’një za pra, na shqyptarët e këtij vilajeti i falena nderes ma s’parit Gjeveris t’Stambollës për mirësi qi, për ditë e ma tepër po asht tui diftue për ne t’birt Shqyptaris, tui na dhanë nji liri t’plotë n’shvillim t’gjuhës s’onë, e s’dytit atyne deputetave shqyptar qi, tui luftue trimnisht e me nji zellë t’vërtetë t’atmijet, kanë ditë me i krye dishiriet e t’ma shumicës e shqyptarëve; dishirë t’pështetuna mbi t’lypunit e shkrimit të gjuhës shqype me germa latinishte, sikurë e ka da edhe Kuvendi gjuhësor qi tash vonë a ba n’Manastir.
Me nji mënyrë të posaçme i falena nderes t’Përshëndritshmit Esat pashës Toptani qi, tui u përkujdesë kaq fort për lulëzim t’gjuhës shqype, ka dashtë, sikurse gegë qi asht, me i përtri nji za t’mirë Gegnisë marë, e cila, deri sot, ka pasë metë fort mrapa prej Toskërisë për atmi e dituni”.
error: Content is protected !!