Lufta kundër bejlerëve shqiptarë daton qysh nga koha e Ali Pashë Tepelenës, i cili, ‟…gradualisht i zhduku të gjitha familjet e mëdha feudaleˮ. Ndonëse koprac, ai ‟… disponoi shuma të mëdha në të mirë të luftës së shenjtë grekeˮ. Aleksandër Ipsilanti u kishte dërguar një letër krerëve të Heterisë, në të cilën u vinte në dukje se ata duhej ta shfrytëzonin lëvizjen e Aliut për të marrë prej tij armë dhe para. Gjatë revolucionit grek, ‟… goditjet e para u drejtuan kundër pronarëve të çifliqeve, titullarëve të timareve, funksionarëve, ulemave, tregtarëve, në më të shumtën e rasteve të çarmatosurˮ.
Gjate luftes ballkanike, hyrja e trupave pushtuese të shteteve ballkanike në trojet shqiptare, në çastet e para pati si pasojë largimin e disa qindra familjeve të klasës feudale shqiptare, ndërsa popullsia tjetër myslimane edhe pse e keqtrajtuar çdo ditë, nuk lëvizi. Në fakt, bejlerët myslimanë, në tërë Rumelinë, ishin më të dobëtit dhe më pak në gjendje të mbroheshin. Sipas Mark Mazover, ‟… pas çfarosjes së bejlerëve myslimanë, qindra mijëra fshatarë të varfër, prodhues duhani, karrocierë dhe tregëtarë myslimanë perimesh, vazhdonin të ishin të kërcënuar edhe për shumë kohë, në varrezat e tyre u hapën braza, medresetë u rekuizuan, ndërsa dhentë dhe derrat u strehuan në xhamitë e fshatarëve”. Në Serez,…xhamitë e mëdha u kthyen nga bullgarët në plevica, fshatarët filluan të largoheshin. Jashtë qytetit të Kilkisit, gjysmatarët e krishterë vrisnin pronarët myslimanë të tokave sapo shihnin që ushtria bullgare po afrohej.
Konsulli britanik shkruante se arsyet e vërteta për eksodin ishin ‟masakrat e mëdha, konvertimet e detyruara dhe përgjithësisht grabitjet e pasurive të myslimanëve”, shumica, -sipas tij, -nga ‟të krishterët e Maqedonisë, e thënë ndryshe nga fshatarët sllavë”.

Fshatarët e Çamërisë kultivonin pronën e tyre, por pronarë të mëdhenj myslimanë në Shqipërinë e Poshtme nuk kishte më. Familjet e vjetra të bejlerëve të pasur, ku secila prej tyre kishte në pronësi shumë fshatra, ishin zhdukur, sepse pak nga pak pronat e tyre u tjetërsuan duke kaluar në duar të kristianëve. Shumë pak prej tyre mbetën në Çamëri. Kështu, në 116 fshatrat e kazasë së Artës e Rodovicit, afro 20 u përkisnin pronarëve të vegjël myslimanë, ndërsa në kazanë e Prevezës e të Margaritit ku ndodheshin në numër më të madh pronarët myslimanë çamë, nga 80 fshatra, rreth 35 u përkisnin myslimanëve.
Strategjia e helenizmit në Çamëri u zbatua nëpërmjet spastrimit etnik dhe genocidit mbi popullsisë shqiptare të besimit mysliman, ndryshimit të strukturës demografike të popullsisë nëpërmjet kolonizimit të krahinës me emigrantë grekë dhe vllehë, të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë dhe nga Azia e Vogël, si dhe ligjit të reformës agrare, nëpërmjet të cilit i’u rrëmbyen shqiptarëve mijëra ha tokë buke, rrënjë ullinj, të cilat u bënë pronë e elementit grek.
Gazeta ‟Shkrepëtima” që botohej në Kajro të Egjiptit, shkruante se: ‟Nga bejlerët e Shqipërisë, veç atyre që mujti me i zanë e me i burgosun, të tjerët ndiqen e kërkohen për të vetmen arësye pse janë shqiptarë, pse janë patriotë të vërtetë”.
Në Vilajetin e Manastirit, ku shumica e fshatrave ishin çifligje të bejlerëve shqiptarë, Komitetet bullgare ushtronin presion mbi ta për t’i detyruar të largoheshin ose tua shisnin bullgarëve. Kjo gjë është prishja e bejlerëve dhe humbja e vendit tonë, -shkruante gazeta ‟Dielli”. Duke luftuar pronarët shqiptarë të tokave, bullgarët e patën më të lehtë realizimin e projekteve të tyre, për të shkëputur këto troje nga kufijtë e Shqipërisë. Luftën kundër bejlerëve e vazhduan edhe Turqit e Rinj. Për të bërë me vete fshatarët, ata deklaronin se ‟… qeveria xhonturke do t’u shpërndante atyre tokat e bejlerëve”.
______________
Marre nga libri “Shqipëria 1878-1928, roli i elitës politike”, Tirane 2014, fq. 418-420

error: Content is protected !!