Para se të mbahej mbledhja e Mukjes në ditët e para të gushtit 1943, më 26 korrik të atij viti u mbajt një mbledhje e parbashkët e përfaqësuesve të Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Clirimtar dhe Ballit Kombëtar, për të përcaktuar pikat e përbashkëta mbi të cilat do të diskutohej dhe vendosej në Mukje. Mbledhja u mbajt në Tapizë, në shtëpinë e Dr. Ihsan Toptanit.

Në delegacionin e KPNCL bënin pjesë Major Abaz Kupi, Myslim Peza, Dr. Ymer Dishnica, Major Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi.

Përfaqësues të Balli Kombëtar ishin: Mit’had Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku.

Mit’had Frashëri u zgjodh kryetar i mbledhjes, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi. Po kështu u vendos që të pranoheshin si dëgjues Patër Lek Luli, Dr. Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri.

Në procesverbalin e mbledhjes, lexojmë: Delegatët e dy organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundra okupatorit fashist, dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:

Neni 1- Të formohet një komitet I përbashkët lufte me emrin “Komiteti I Shpëtimit të Shqipërisë”,

Neni 2- “Komiteti I Shpëtimit të Shqipërisë” ka për qëllim realizimin e këtij program:

1- Luftë immediate kundra armikut okupator për clirimin e Shqipërisë,

2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913 – ës dhe realizimin e bashkimit në atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh në virtyt të parimit të përgjithshëm të vetvendosjes së popujve të njohur universalisht dhe garantuar prej kartës së Atlantikut.

3- Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike të vërtetë.

4- Forma e regjimit do të caktohet prej vet popullit me anën e një ansambleje konstituente.

Në mbledhjen e Mukjes u diskutua gjerësisht mbi këto pika dhe, me ndonjë redaktim të vogël, u aprovuan.

Dihet se si u prish marrëveshja e Mukjes dhe pasojat që erdhën më pas, të cilat vazhdojnë deri në ditët tona.

error: Content is protected !!