Monarkia shqiptare (1 shtator 1928 – 7 prill 1939), mund të themi pa frikë se gabojmë, është modeli i shtetit funksional në një shoqëri relativisht të prapambetur. Për këtë, duhet përmendur me nderim Mbreti Zogu I, i cili e realizoi nëpërmjet reformave të thella.

Reformat më të rëndësishme që i ndryshuan faqen vendit ishin:

Së pari, Reforma agrare, e cila u projektua nga profesori i famshëm italian, Xhovani Lorenzoni. Për një periudhë prej tre muaj ai studioi në terren fondin e tokës bujqësore në ultësirën perëndimore, luginat e lumenjve dhe fushën e Korçës e të Delvinës dhe paraqiti në parlament projekt ligjin. Parimi mbi të cilin do të zbatohej reforma ishte pajtimi i interesave të bujkut dhe pronarit. Problemet e bujqesise shqiptare ai i ka pasqyruar në librin “La questione agraria albanese“ (Çështja agrare shqiptare) botuar më 1930, në Firenze. Si rezultat i asaj reforme, Shqipëria u kthye në një vend eksportues i produkteve bujqësore dhe në mënyrë të vecantë i atyre blegtorale. Viti 1938 shërbeu për dekada me radhë si viti i krahasimit të arritjeve të ekonomisë shqiptare.

Së dyti, reforma ligjore. Që në vitet 1928-1929 u aprovuan kushtetuta, kodet dhe kodet e procedurave, të cilat ishin të nivelit të krahasueshëm me ato të Perëndimit. Parimi themelor ishte liria e qytetarit dhe barazia e të drejtave. Është e terpërt të sjellim shëmbuj, pasiqë këto vite është folur për këtë temë.

Së treti, reforma për organizimin e xhandarmërisë, vendosjen e rendit dhe ruajtjen e qetësisë publike. Këtë detyrë, Mbreti ua ngarkoi inspektorëve anglezë, me në krye gjeneralin Sir Jocelyn Percy.
Oficeri anglez Dayrell Oakley-Hill, ndihmës i gjeneralit Persi, vite me vonë do të shkruante: “Përbërjen ne e gjetëm të shkëlqyer dhe në duart e gjeneral Persit ajo u bë një forcë e një cilësie të lartë. ( … ) metoda të drejta dhe të qarta britanike administrimi si dhe drejtësia krijuan një atrnosferë besimi që i bëri njerëzit të ndjehen të sigurtë, xhandarrnëria u bë një ekip ku u punua shumë bashkërisht dhe me kënaqësi. Kusarët u zhduken nga malet. Madje dhe gjakmarrja filloi të humbasë terren, sepse ata që u bindeshin kërkesave të traditës së fortë të vjetër kapeshin dhe trajtoheshin si vrasës ordinerë. Në këtë tokë të vjetër pema e qytetërimit filloi të rritej dhe të shtrijë degët e saj… Ishte një gjë magjepsëse, të ishe aty dhe të vëzhgoje rritjen e këtij shteti të ri, të guximshëm”.

Rezultatet në fushën e zbatimit të ligjit dhe të vendosjes së rendit ishin ndër më të sukseshmet dhe treguesit e kriminalitetit ndër më të ulëtit në Evropë.
Gjatë viteve të Monarkisë u krijua një elitë intelektuale që lartësoi vlerat e popullit dhe që për nga niveli mbetet edhe sot si pikë referimi. Shqipëria, megjithë se shtet i vogël, zuri vend të nderuar midis kombeve të tjerë.

error: Content is protected !!