Në Konferencën e Parë të Vendit, mbajtur në Labinot më 17-21 mars 1943, Partia Komuniste udhëzoi strukturat e saj në bazë “… me u fut nëpër teqe mbasi aty kemi me gjetë shumë elementë të mirë dhe që simpatizojnë luftën nacionalçlirimtare”.1
Me fitoren e komunistëve, klerikët bektashianë që mbështesnin partinë komuniste, morën inisiativë të reformonin bektashizmin. Reformat në fjalë kishin të bënin me heqjen e mjekrës së klerikëve bektashianë, veshjen me rroba civile dhe martesën e tyre. Reforma u përkrah nga një numër i vogël klerikësh të lidhur me regjimin, por u kundërshtua masivisht nga klerikët dhe myhypët.
Konflikti brenda klerikëve bektashianë u shkallëzua deri në atë masë sa Dede Abazi vrau Baba Mustafa Xhanin dhe Baba Fejzo Dervishin dhe më pas edhe vehten. Vrasja bëri bujë dhe tronditi regjimin.
Më 24 mars 1947, Komiteti Qendror i PKSH, udhëzonte sekretarët politikë të komiteteve qarkore të ngarkonin të gjithë antarët e partisë të punonin në zonat ku ka teqe dhe influencë bektashiane që t’ju japin një informacion të hollsishëm e të studjuar mirë “mbi përshtypjen që ka bërë në besimtarët dhe në popull çështja e reformave që kanë dashur të bëjnë këto kohët e fundit në sektin e tyre”. -Këto informata të mos jenë të nxjerra nga thëniet e një ose dy vetave, -theksohej, “por nga opinion i përgjithshëm i këtyre rretheve si dhe i popullit që është i lidhur me këta”.2
Komiteti Qarkor i Gjirokastrës përcaktonte si zona me influencë bektashiane në qark krahinat e Buzit e Krahësit në Tepelenë, Dangllisë në Përmet, Dëshnicës në Këlcyrë, krahina e Rëzomës në Delvinë dhe disa në qytetin e Gjirokastrës.3
Ai raportonte KQPKSH se kishte opinione të ndryshme për këtë çështje. Në krahinën e Tepelenës, elementët fanatikë “vrasjen e kanë quajtur si një vepër të madhe për fenë e cila shpëton principet e saj. Këta kanë qënë njerëz që donin të na prishnin fenë”.4
Në krahinën e Këlcyrës, ku kishte shumë myhypë dhe ku njiheshin të dy baballarët, “s’ka patur shumë zhurmë dhe parrulla”. Aty, konsiderohej “si vrasje nga një element reaksionar dhe kundër pushtetit tonë”.5 Ka patur njerëz nga populli që thonë se vrasja është bërë nga ana e reaksionit sepse dedeja ka qënë i tillë me kohë.6
Megjithë presionin e regjimit dhe klerikëve bektashianë të lidhur me të, kundër reformave në fjalë, rezistenca e pjesës tjetër të klerikëve ishte shumë e fortë.
Në një telegram tepër sekret, KQPKSH vinte në dijeni sekretarin politik të Komiteti të Partisë së Qarkut të Gjirokastrës, se brenda atyre ditëve në Gjirokastër kishin shkuar dy herë delegacione prej pesë dhe tre vetësh për të bindur Baba Brahimin dhe pasi ky nuk kishte pranuar, ishte dërguar një delegacion tjetër prej pesë vetsh. Kërkohej nga ai “të informohej se çfarë thonin për qeverinë dhe të njoftonte shpejt dhe me saktësi”.7
Kreu i strukturave të regjimit në Gjirokastër i raportonte me hollësi KQPKSH për grupin që kishte shkuar në Gjirokastër dhe se ai kishte dërguar atje njerëzit e vet.
Sipas informacionit, Baba Brahimit i kishin bërë elozhe dhe shantazh, “madje Babai i Krujës ia shtroi si një vendim që ishte marrë në mbledhjen e këshillit bektashian dhe se kjo ishte një dëshirë e gjithë pjesëmarrsëve në mbledhje dhe të disa besimtarëve të tjerë me të cilët kishte biseduar ai vetë. I bëri një elozh mbi të mirat që kishte Baba Brahimi si njeri i ndershëm dhe me qëndrim korrekt si nga pikpamja fetare dhe qëndrimi i tij korrekt gjatë evenimenteve të ndryshme”.8
Veç Babait të Krujës kishte biseduar edhe një tjetër… “i cili ia paraqiti Baba Brahimit se kishte biseduar edhe me Myslym Pezën dhe se caktimi i Baba Brahimit si Kryegjysh ishte dhe një dëshirë e Myslymit”.9
Ai i tha “se gjoja kishte biseduar me Halil Hoxhën (atin e Komandantit) dhe sikur Halili kishte biseduar me Komandantin mbas vendimit që kishin marrë këta në mbledhjen e këshillit dhe sikur komandanti e kishte pëlqyer shumë këtë vendim”.10
Për të bindur Baba Brahimin së bashku me delegacionin shkuan edhe disa myhyp të tjerë gjirokastritë të cilët biseduan me të dhe ja shtruar si një vendim që ishte marrë dhe duhej t’a pranonte për të mirën e Bektashizmit dhe se duhej pa tjetër të vinte në vend vendimi i marrë”.11
Megjithë presionin, “ai nuk pranoi dhe gjithmonë paraqiste pamundësinë e tij për ta kryer një barrë aq të rëndë si kjo që i ngarkohej; ai tha edhe sikur ta zhvishnin fare, veç mos i ngarkohej një barrë e rëndë si kjo”.12

Zgjedhja e kryegjyshit, thellimi i krizës

Pasi dështuan të bindnin klerikët që kundërshtonin reformat, regjimi përdori mënyrën tjetër, duke shfrytëzuar zgjedhjen e Kryegjyshit, që do të zëvendësonte Dede Abazin. Figurat më autoritare ishin Baba Ali Tomorri dhe Baba Rustemi. U bë kujdes të mbaheshin nën kontroll delegatët, të cilët do të zgjidhnin dedenë dhe këshillin bektashian.
Në raportet që i vinin udhëheqjes komuniste nga strukturat e saj vartëse të zonave ku kishte teqe dhe influencë bektashiane, bëhej një përshkrim i hollësishëm për opinionet e klerikëve, delegatë të këshillit bektashian. Më 30 prill 1947, Komiteti Qarkor i Gjirokastrës i raportonte KQPKSH se “…Përsa i përket opinionit të delegatëve të Gjirokastrës në lidhje me Baba Rustemin dhe Baba Alinë, janë pro Baba Aliut duke e paraqitur këtë si njeri të zgjuar dhe që ka përmirësuar qëndrimin e tij… Baba Aliu ka influencuar edhe tek Lutua dhe Hamzai ca, por Hamzai bën ashtu siç i thomi ne. Lutua kohët e fundit përpiqet të paraqitet sikur nuk interesohet për këtë çështje, ka frikë se mos kompromentohet”.13
-Baba Aliu, Hamzai dhe një tjetër delegatë nga Gjirokastra u nisën për në Tiranë sot, -lexohet në një informacion të 30 prillit.
Në fakt, emri i dedesë së bektashinjve nuk do të reduktohej në këto dy kandidatura. -Përveç Baba Rustemit që biseduam kur ishim aty, -shkruhet në raport, “edhe Baba Ahmeti i Kuç Babas të Vlorës është i shoqëruar me polic nga pas. Këtë ja ka dhënë seksioni i Punëve të Brendshme Vlorë. Baba Ahmeti kur ka ardhur këtu ka folur mirë, ka dënuar veprën e Dedesë para myhypve dhe është paraqitur më i thjeshtë, Baba Rustemi parathotë se Baba Faja me Baba Fejzon u vranë ca në punën e tyre, megjithëse ky i kishte këshilluar për të qënë më të matur”.15

Ekzekutimi i Baba Ali Tomorrit

Megjithëse zgjedhja e dedesë dhe këshillit bektashian u realizua sipas planeve të regjimit, ata nuk kishin autoritetin e duhur për të bindur besimtarët bektashinj të realizonin projektet e regjimit. Për t’u dhënë autoritetin e munguar përkrahësve të tij, regjimi organizoi një nga goditjet më të mëdha që kishte ndërmarrë deri atëherë në Shqipëri; arrestoi dhjetra vetë, duke përfshirë Baba Ali Tomorrin, Baba Shefqet Koshtanin, etj. Sipas skenarit të Sigurimit, të arrestuarit i ndanë në dy grupe: në të Ballit dhe të Sillogut, të cilat vepronin në Këlcyrë, Tepelenë, Delvinë dhe Sarandë. Në grupin e Ballit, Sigurimi përfshiu figura të njohura të rezistencës antifashiste dhe LNCL, si Zenel Shehu nga Toçi i Tepelenës; Shefqet Demi nga Filati, banues në Sarandë, apo Sali Gurin në Këlcyrë, babai i dëshmorit Naim Guri; Xhelo Shametin dhe Namik Hadërin në Delvinë, Rexhep Camin etj. Gjithnjë sipas Sigurimit, Grupi ballist i Këlcyrës lidhej dhe udhëzohej nga Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar, (Islam Radovicka, në fakt kishte qenë Komandant i Zonës së Parë Operative), si dhe me Komitetin qarkor të Ballit Kombëtar të Gjirokastrës (Baba Ali Tomorri e Veliko Malile).16
Midis të tjerave ata akuzoheshin se “Kanë propaganduar për të krijuar në popull influencën e imperialistëve anglo amerikane dhe nga ana tjetër kanë propaganduar kundra miqësisë me popujt e Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik”.17
Të arrestuarit u gjykuan në dy gjyqe të vecanta të zhvilluara në nëntor dhe dhjetor 1947, ku vetëm në të parin u dënuan 22 vetë, disa me vdekje dhe të tjerët me dënime të rënda. Në gjyqin e dytë u dënuan disa figura të njohura, si Baba Ali Tomorri, Syrja Vasjari, Kristaq Peshtani, etj, te cilet u ekzekutuan në janar 1948.

Kush ishte Baba Ali Tomorri

Baba Ali Tomori (Ali Abaz Skëndi) (1893 -1948), është padyshim figura më e shquar e intelektualëve klerikë të bektashizmit, në shekullin e XX. I arsimuar në fillim në Berat, e më pas në Kozan, ai përvetësoi mirë greqishten, arabishten e turqishten. Veprimtarinë klerikale, letrare dhe patriotike i filloi në Teqenë e Prishtës, midis Këlcyrës dhe Çorovodës, pas Shpalljes së Pavarësisë.
Dishepull i Naim Frashërit, mik i Fishtës dhe Nolit, ai njihej në qarqet intelektuale të kohës si publicist, përkthyes dhe poet. Baba Ali Tomorri ishte aktivizuar qysh i ri në lëvizjen kombëtare. Mbështetës i qeverisë së Vlorës, ai kishte përkrahur Themistokli Gërmenjin, kur ky ishte emëruar nga qeveria e Vlorës si Kajmekam i Skraparit. Baba Aliu, i njohur asokohe si Varf’ Ali Prishta, ishte formuluesi i kërkesave të popullit të zonave të Përmetit, dërguar Fuqive të mëdha, në dhjetor 1913.
Në 1921 – 1923 botoi gazetën “Reforma”, e cila propagandonte idetë e rilindjes kombëtare dhe bashkëjetesës fetare.
Orator i njohur, ai mbajti fjalë lamtumire mbi varrin e Avni Rustemit, krahas Ali Këlcyrës, Fishtës, Shantosë, Nolit etj.
Në vitet 1930, botoi në shtypin e kohës ndërsa përkrahu luftën kundër pushtuesit, por ishte kundër luftës midis shqiptarëve.
Më 1945, bashkë me Zv/mitropolitin e Gjirokastrës, Baba Ali Tomorri foli përpara popullit të atyre zonave me rastin e vizitës në Shqipërinë e Jugut, të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit…
Fjalët e fundit përpara ekzekutimit ishin:‟Rroftë Shqipëria”.
________________
1…7) AQSH, FO. 14, viti 1943, dosja 10
8…15) AQSH., FO. 14, viti 1947, dosja 59
16…17) AQSH., FO. 493, viti 1947, dosja 17

[/vc_wp_text][/vc_column][/vc_row]

error: Content is protected !!