Dhjetor 1478…komandanti venecian i shkruante qeverisë për dëmet e mëdha që kishte pësuar, ku ishin vrarë ushtarët më të mirë. Ai i njoftonte se po të mos dërgoheshin me shpejtësi përforcime, qyteti do të binte.

Në mbledhjen e Senatit, për këtë çeshtje, u kërkua të mobilizoheshin në Lombardi gjashtëmijë kalorës dhe tetëmijë këmbësorë e të dërgoheshin në Shqipëri.

Shumë senatorë kundërshtuan, me arsyetimin se jo vetwm ishte e vështirë të mblidheshin kaq trupa, por edhe sikur të dëgoheshin në Shkodër, do të rrezikoheshin të rrethoheshin nga ushtria osmane.

Pjesa më elitare ishte e mendimit që të dërgohej fshehurazi një ambasador në Stamboll, për të biseduar me Sulltanin. Ai u porosit që të arrinte një marrëveshje paqeje, me sa më pak dëme, me kusht që të kthehej në Venecia me një traktat paqe të nënshkruar prej Sulltanit.

Me këtë mision të rëndësishëm e delikat u ngarkua Giovanni da Rio, sekretar i Senatit, i cili u nis me ngut për në Shqipëri, nga ku arriti në Stamboll në ditët e para të janarit 1879.

Ambasadori mori më shumë nga sa shpresonte: traktati, nënshkruar nga sulltani në 26 janar 1479, përmbante artikujt e mëposhtëm:

1- Republika e Venecia i lëshonte Zotit të Madh (Sulltanit- shënimi im) qytetin e Shkodrës me territorin e saj, e impenjohej të tërhiqte në një periudhë prej dy muajve, garnizonin, municionin dhe artilierinë.

2- Republika do t’i paguante Zotit të madh, më vonë, brenda dy viteve, shumën prej njëqind mijë dukatë, në kompensim të borxhit që kishte kontraktuar me të Bartolemeo Zurzi, për llogari të doganës, ose mund t’ia jepnin personit në dorë.

3- Zoti i madh detyrohej ti kthente republikës gjithçka që ajo posedonte përpara luftës në Albani, në More, në Dalmaci e gjetkë, me përjashtim të dy qyteteve, të Krujës e Shkodrës.

4- Do të dërgoheshin komisarë nga secila palë për të mbikqyrur zbatimin e traktatit në kufijtë e zotërimeve të tyre respektivë.

5- Republika mund të kishte, si më parë, përmbarues në Stamboll, me autoritetin të gjykonte çeshtjet e bashkë kombasve të tij.

6- Venecianët do të gëzonin, në shtetin e Zotit të madh, çdo ekskluzivitet për hyrje e dalje në mallra, me kusht që dogana perandorake të kompensohej çdo vit me një shumë prej dhjetëmijë dukatë.

7- Të gjithë subjektet gëzonin përfitimet nga kjo paqe, dhe në mënyrë të barabartë të gjitha vendet, mbi të cilët valonte flamuri i shën Markut; me kusht që ai të ishte ngritur para se sulltani t’u kishte shpallur atyre luftë.

Për më tepër shih: Giuseppe Cappelletti; Storia della Repubblica di Venezia, volume sesto, Venezia 1850, p. 379-381.

error: Content is protected !!