Në bisedimet e Këshillit Kombëtar të 10 marsit 1923, u bisedua edhe për një propozim të deputetit Ali Këlcyra që kishte si objekt ndalimin e mbajtjes së mbulesës për gratë myslimane, duke sjellë si shembull masat që kishte marrë në Turqi Mustafa Qemal Ataturku.

Me përjashtim të dy-tre deputetëve, të tjerët e kundërshtuan propozimin e tij.

Interesante ishin diskutimet e Dr. Syreja Pojanit, Visarion Xhuvanit, Koço Tasit, Fan Nolit, Ibrahim Xhindit, Sejfi Vllamasit, Haxhi J. Bankës, Shefqet Daiut, Osman Haxhiut etj, të cilët e kundërshtonin propozimin e Ali Këlcyrës.

Në diskutimin e tij Visarion Xhuvani e kundërshtoi propozimin e Z. Këlcyra duke thënë se parlamenti nuk ishte për këto dhe se duke kopjuar reformat e Mustafa Qemalit, majmunizohej.

Emzot Noli ishte më i ashpër në qëndrimet e tij, duke theksuar se “kjo është një çështje e cila duhet zgjidhur prej Vëllaznis s’onë muhamedane edhe ne nuk duhet të trazohemi në punë të tyre”.

Ai i tërhoqi vërejtjen Ali Këlcyrës se nuk ishte parë në historinë e botës që një gjë e tillë të jetë shkaktuar nga ana e qeverisë, parlamentit apo kongresit.

Zakonet e mbulesës së gruas nuk i kanë pas vetëm popujt muhamedanë por edhe popujt e krishterë e se këtë e shikojmë në librat e Sh. Palit, dhe se këto zakone i kanë pas edhe Bizantinët e Venecianët. Në të gjithë popujt e Evropës gratë kanë dalë me një farë veli shumë më të shpeshtë se këtu.

Me gjithë këtë, theksoi Noli, nuk kemi pa asnjë urdhër asnjë sinod me të cilën të jetë shkaktuar zbulimi i gruas, ky zbulim ka ardhur vetvetiu e evolucioni social ka sjellë ndërrimin gradual të zakoneve…

Argumentat që përmendi Noli i solli edhe Shevqet Daiu, i cili përmendi se ky nuk ishte thjesht zakon fetar por që vinte nga koha pasi që kishte edhe gra kristiane që mbuloheshin. Ai theksoi se “ky asht një zakon i cili nuk hiqet me propozime e me propaganda por me kohë, edhe këto zakone nuk i ka feja”.

Koço Tasi tha se nuk donte të hynte aspak në esencë të kësaj çështje pse “si deputet kristian nuk më përket e nuk dua të predikoj një çështje që i takon fes myslimane”.

Mehdi Frashëri i bëri vërejtje Ali Këlcyrës duke theksuar qw, përpara se të merrej me veshjen duhej të trajtonte çështjet juridike, të tilla si barazia e gruas me burrin përpara gjyqit, barazia në trashëgimi dhe e drejta e gruas të kërkonte divorcin.

Me gjithë këmbënguljen e Ali Këlcyrës për tu futur në votim propozimi i tij, deputetët e refuzuan dhe ishin të mendimit se zhvillimi ekonomik do të përmirësonte edhe pozitën e gruas.

error: Content is protected !!