Xhafer Sadiku

Lufta kundër pronarëve të tokave vazhdoi edhe në trojet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë politike, sidomos në Kosovë. Pas spastrimit etnik të popullsisë shqiptare në Kosovë gjatë luftës ballkanike, serbët filluan kolonizimin e saj. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, procesi i reformës agrare dhe kolonozimi i Kosovës do të pezullohej dhe aksioni do të fillonte pas përfundimit të luftës.
Sipas Dispozitës Provizore të 27 shkurtit 1919, brenda kategorive që përfitonin ishin të preferuar invalidët, luftëtarët që kishin luftuar për çlirimin dhe bashkimin në një shtet të vetëm Serbo-Kroato-Slloven. Me këtë specifikim ishin të përjashtuar të gjithë të huajt, e në mënyrë të veçantë shqiptarët. Në të vërtetë, plani për kolonizimin dhe reforma agrare ishin instrumente të serbëve për të grabitur tokat e shqiptarëve dhe për t’i detyruar të linin vatrat e tyre. Reforma dukej sikur kishte qëllim social të mirë, por në realitet ‟çifliqet” e shpronësuara u ndaheshin vetëm serbëve dhe malazezëve. Në Kosovë, si çiflik konsiderohej vetëm prona e shqiptarëve, por që aty ajo nuk kishte patur kurrë karakterin e ‟latifondeve”. Shpronësimi përfshiu dhe goditi edhe pronat e vogla dhe numri i pronarëve shqiptarë të goditur nga shpronësimi i reformës jugosllave, arriti në rreth njëqind mijë.
Reforma agrare jugosllave në Kosovë pati qëllim kolonizimin e saj. Ajo u realizua nëpërmjet ‟vendosjes së serbëve e malazezëve në kufi me Shqipërinë, zvogëlimin e dendësisë së popullsisë dhe grabitjen e tokave më të mira e më pjellore të shqiptarëve ”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, klasa e pronarëve shqiptarë të tokave u ndodh midis dy zjarreve: forcave komuniste dhe çetnikëve. Të dy palët propagandonin se luftonin kundër bejlerëve e agallarëve ‟…për t’i dalë zotër të drejtave të fshatarëve”. Në fakt, në krahinën e Kosovës një ndarje klasore brenda popullsisë shqiptare nuk ekzistonte për arsye të shumta, ku më kryesorja ishte se sundimi jugosllav kishte si objektiv varfërimin e shqiptarëve dhe t’i detyronte të emigronin
Në një raport të kohës nga Kosova, thuhet se:
‟Grushti më i randë u ashtë dhënë bejlerëve dhe agallarëve për të zhdukë një faktor ekonomiko-politik, i cili kishte pasë biletat praktikë për t’i zhvillue një rezistencë më të gjatë e ma serioze kundër qëllimeve të dominatës. Nëpër këtë veprim klasa e bejlerëve dhe e agallarëve është zhdukë, sot një klasë e tillë nuk ekziston në realitet”.
Kjo klasë ishte zhdukur prej mizorive të tyre të mëparshme duke mbetur si një kujtim historik e në vend të saj kishte vetëm shqiptarë të varfër dhe pjesa më e madhe e tyre jetonin në varfëri.

error: Content is protected !!