Që të analizosh me hollësi periudhën e regjimit komunist në fushën e letërsisë e arteve duhen vëllime të tëra, por një gjë duhet thënë pa frikë se gabon: letërsia dhe arti i realizmit socialist ka patur rol shumë të rëndësishëm në historinë e regjimit. Krijimtaria, nga ajo poetike tek romanet, nga këngët e muzikës së lehtë tek krijimtaria popullore, nga dokumentarët tek filmat artistikë, përshkruheshin nga dashuria për Partinë e kreun e regjimit, nga falsifikimi i historisë dhe urrejtja për “armikun e klasës”. Elita komuniste në fushën e letërsisë dhe arteve, realizoi projektin madhor të Partisë, shkatërrimin e “armikut të klasës” dhe krijimin e njeriut të ri.

• Ndryshimet politike dhe boshllëku i krijuar

Me ndryshimet politike të fillimviteve 1990, letërsia dhe arti i realizmit socialist pësuan krizë të thellë, si në asnjë vend tjetër ish komunist. Me ndonjë përjashtim të rrallë, veprat e realizmit socialist “dolën” jashtë qarkullimit, autorët mbeten pa vepra, ndërsa emri i shumicës së tyre u harrua. Të njëjtin fat pësoi edhe krijimtaria popullore, pasiqë shumica e këngëve i kushtoheshin Partisë dhe diktatorit. U deshën disa vite që tregu dhe vecanërisht ai muzikor, të plotësonte kërkesat nga tregjet fqinj, por edhe nga ato më të largëtat. Me kalimin e viteve, u dukën prurjet cilësore të autorëve të rinj, në mënyrë të veçantë të atyre me banim jashtë atdheut.

• Paaftësia për të konkuruar

Pa aftësia e autorëve të realizmit socialist për të prodhuar vepra artistike në kushtet e konkurencës së lirë, bëri që dora – dorës të integroheshin mirë në politikë, duke kërkuar e gjetur padronë të rinj. Herë në pushtet e herë në opozitë, ata ja dolën të vinin nën kontroll institucionet kulturore, rrjetin e botimeve, sistemin e vlerësimeve dhe zhvillimet letraro-artistike duke imponuar vullnetin e tyre.
Duke pasur në dorë shuma kolosale për realizimin e këtij qëllimi, ata ia kanë dalë të himnizojnë krijuesit e realizmit socialist duke ruajtur me fanatizëm hierarkinë e tyre, madje duke i ngritur dishepujt e diktatorit në statusin e “gjeniut” dhe “patriarkut”.

Krijimtaria mediokre do të ishte zhdukur me kohë sikur të mos mbahej në treg nga propaganda politike dhe mediatike, nga panairet dhe tekstet për të gjitha nivelet shkollave. Niveli mediokër i teksteve dhe univesiteteve ka prodhuar edhe inteligjencë mediocre, çka i intereson “elitës” së soc-realizmit, tashmë të konvertuar.
Kjo “elitë” ja kanë dalë të mbajnë larg krijimtarinë cilësore të krijuesve të talentuar, veçanërish atyre të diaspores, të cilët kanë dëshmuar se janë të sukseshëm në Perëndim.

• Mbajtja gjallë e konfliktit klasor

Duke patur pozita të privilegjuara dhe mbështetjen e padronëve të pushtetit, krijuesit e realizmit socialist, duke mos i dhënë asgjë popullit këto vjet, mbajnë gjallë me forma të tjera, luftën e klasave jo vetëm kundër autorëve që kanë qenë objekt I luftës së klasës, por edhe kundër veprave të tyre. Mënyrat janë përfide, deri edhe mafioze.

Megjithëse jetojmë në një botë të hapur, ata propagandojnë vendosjen e kufijve kulturorë. Kulturën e popujve të tjerë, veçanërisht atë të popujve të Lindjes dhe sidomos të atyre me besim mysliman e quajnë antikulturë. Telenovelat e huaja që mbushin boshllëkun e krijuar nga paaftësia e krijuesve të vendit e quajnë agresion kulturor, madje nxisin konflikte për tu dukur si patriotë.
Nxitës të luftës së klasave dje dhe të konflikteve fetare sot, elita kulturore e socializmit përbën rrezikun kombëtar dhe si e tillë duhet përbuzur dhe injoruar.
Ankesat e “elitës kulturore” se librat nuk po lexohen, tregon dështimin e tyre të plotë dhe farsën e panaireve të kotësive.

error: Content is protected !!