Aty nga fundi i vitit 1990 qarkulloi një thashethem sikur e veja e diktatorit kishte thënë shprehjen: “u zgjuan kafshët”. Bisedës për “kafshët” ia nisën në një vakt dreke edhe një grup fshatarësh që mbillnin pjergulla, në arat poshtë fshatit. Ca thoshin e ka thënë, të tjerë nuk besonin.

-Ka të drejtë, ndërhyri në bisedë një mesoburrë, nga ata me “biografi të keqe”, – asaj i vjen inat për tufën e saj, për delet dhe gomarët, se nuk i ka trajtuar keq. Epo.., se i ka kapur pak gëshëra apo i ka vrarë samari nuk është ndonjë hata e madhe. Ata që e pësuan janë alltarët. Soji i tyre është në të zhdukur, vetëm tek tuk gjen ndonjë.

Ca naivë hapnin sytë, ndërsa nja dy komunistë që punonin bashkë me ta nuk po i mbante vendi.

-Po, meqë ra fjala, – ngau bisedën folësi, – ajo shqetësohet kot; e shumta do t’i bëjnë ndonjë bajgë, ose do ta godasin me ndonjë shqelm, se helbete, kafshë janë.

– Fol më shkoqur, se nuk po kuptojmë të tërë, ndërhyri një tjetër me biografi “të mirë”.

– Doemos, i dha udhë bisedës; ju të gjithë jeni besnikët e saj. A shikoni në pasqyrë fytyrat se si jemi nxirë? Ju nuk mendoni se kush u bëri të rriteni me bukë misri e sherbet sheqeri. Ju u kanë ushqyer me urrejtje për ne që jemi rritur bashkë, sikur jemi armiqtë tuaj. Mu për këtë arsye ju do të jeni gjithnjë me të, se jeni kundra nesh. Edhe sikur tu presin bukën, edhe sikur tu poshtërojnë akoma më keq se deri tani, prapë do të jeni besnikë të partisë. Sa ju jeni skllevër të saj.

Mbase pas disa muajsh, kooperativa nuk do të jetë më, por ju do tu komandojë përsëri brigadieri; ai do të jetë zoti juaj. Mbase edhe uzinat që prodhojnë rrangalla nuk do të jenë më, por padroni i punëtorëve do të jetë prap ai, shefi i repartit. Zot i inxhinierit të uzinës do të jetë prapë drejtori! Dhe mbi të gjithë do të jetë partia e “asaj”. Ata që do të përfitojnë do të jenë padronët tuaj. Ju gjithnjë do të jeni skllevër të tyre, sa kohë do të mendoni se ne jemi armiqtë tuaj. Ndërsa njerëzit si puna ime, vërtet do të vuajnë, por do të jetojnë më mirë se ju, siç kemi jetuar më mirë edhe deri tani. Se ne jemi njerëz të lirë, edhe kur ju kujtonit se na kishit izoluar. Se, që thatë ju, liria është brenda në shpirt, por ju nuk i dini këto se shpirtin ia kini shitur djallit. Këtu e këputi llafin dhe hodhi vështrimin mbi ta.

-Ke të drejtë, tundi kokën një i ri i lexuar, – kështu mendoj edhe unë dhe kështu ka për të ndodhur.

error: Content is protected !!