Nuk kishte ndodhur kurrë që në atë fshat të vogël malor të ngjiteshin dy makina të tipit Gaz brenda një dite, për më tepër në vapën e korrikut. Vetëm Gazi i Degës e “vizitonte” shpesh, e më të rrallë edhe ai i kryetarit të koopetativës. Me siguri edhe atë ditë njëri do të ishte ai i përhershmi, ndërsa për tjetrin kureshtja e banorëve u shua shpejt.

Nga makina dolën kirurgu e reanimatori, e pas tyre barrela me të sëmurin. Të dy mjekët kishin kryer një operacion të rëndë, por i sëmuri nuk kishte përmirësim dhe po e kthenin në shtëpi. Përshëndetjes së mjekëve te dera e shtëpisë së të sëmurit, iu përgjigj vaji i një nuse dhe e qara e një fëmije.

Pasi i mjekuan plagën e i bënë serume, hëngrën dhe drekën e përgatitur nga e zonja e shtëpisë, mjekët u ngritën për të dalë.

-Do të vijmë përsëri, -u dha shpresë kirurgu.

Pa arritur tek sheshi përpara dyqanit, ku kishin lënë makinën, nga dera e zyrës së partisë doli nënkryetari i Degës që ishte edhe Shef i Sigurimit të rrethit. Ishte i deleguar në mbledhjen e organizatës bazë të partisë së fshatit.

-Ku keni qenë? – bëri naivin shefi i hafijeve.

– Sollëm një të sëmurë rëndë, – iu përgjegj reanimatori, por pa mbaruar fjalën, sigurimsi u ngrys në fytyrë: – A e dini që ai është armik?

-Ne jemi mjekë dhe të sëmurët kanë nevojë për ne, – iu përgjigjën prerë dhe hipën në makinë.

Shoferi ishte tulatur nga frika, por reanimatori e urdhëroi:

– Nise makinës, – në profesionin tonë shefa jemi ne.

Kirurgu e mbajti fjalën, ndërsa asnjë banor i fshatit nuk shkeli në shtëpinë e të sëmurit. U kishte hyrë frika në palcë!

error: Content is protected !!