]Pas debatesh të ashpra në organizatën bazë, të deleguarit e partisë në rreth, më në fund i bindën komunistët e fshatit të pranonin vendimin e byrosë së partisë të rrethit. Mblodhën popullin që të shpallnin kulak një bashkëfshatar të tyre të moshuar, t’i hidhnin detyrimin dyfish dhe ta demaskonin.

Sa filloi mbledhja, fjalën e mori përgjegjësi i ekipit të komitetit të partisë. Pasi foli për Partinë, për Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, theksoi se nën shembullin e tij duhet të luftonin armiqtë e fshatarësisë, kulakët.

Fshatarët nuk po kuptonin asgjë, por sakaq i deleguari përmendi emrin e të moshuarit dhe tha se ai ishte kulaku i fshatit të tyre, ai ishte armiku i tyre.

Disa burra u ngritën menjëherë në këmbë të revoltuar duke thënë se ai ishte patriot i njohur në tërë krahinën dhe se për këtë do të ankoheshin lart. Njëri nga të deleguarit uli kokën i nxirë në fytyrë.

-Ai, -vazhdoi i deleguari, ka shfrytëzuar punën e të tjerëve.

Prapë revoltë nga fshatarët…

Ndërkohë operativi i sigurimit, i pranishëm në mbledhje, pa nga disa të rinj. Njëri prej tyre u ngrit sakaq:

– Ky, tha i riu, na ka shfrytëzuar.

– Pa na trego, – e nxiti drejtuesi i mbledhjes.

-Po ja, kur kishte të birin partizan, më mori për të punuar tokën. Punova shumë ditë tek ai. Ndërkohë, i deleguari që kishte ulur kokën e ndërpreu:

– A të pagoi dhe sa?

I riu tha se e kishte paguar dy herë më shumë se sa e paguanin të tjerët, për të njëjtën punë. Tha se i kishte dhënë bukë çdo drekë dhe çfarë i tepronte e merrte në shtëpi.

– Kaq kisha për të thënë, dhe u ul.

Operativi u kthye përsëri nga të rinjtë. U ngrit një tjetër:

-Edhe unë kam punuar tek ky, tha i riu, kam ruajtur kecat.

– A të dha paratë? – e pyeti i njëjti i deleguar.

– Po, tha i riu dhe tregoi sa e kishte paguar. -Ushqimin e drekës ma jepnin me vete.

-Çfarë të jepnin për të ngrënë, e pyeti përsëri i deleguari?

– Mish, djathë, kos, ç’të hanin vet.

-Tu kishte dhënë më mirë një helm, – tha i deleguari dhe ngriti kokën i lehtësuar.

Iu drejtua shokëve të tij:

-Në vitet e luftës, tek ky kemi ngrënë bukën, tani po i përmbysim sofrën…Po i bëjmë varrin!

Atë vit i moshuari vdiq. Në varrimin e tij morën pjesë qindra njerëz, por ai ishte rasti i fundit kur bashkëfshatarët nuk iu bindën Partisë. Ishte rasti i fundit kur ishin të bashkuar.

Në shtëpinë e tij nuk shkelën më. As ata dhe as miqtë. U ndanë… përgjithnjë.

error: Content is protected !!