Më 7 mars 1914 dërgata shqiptare që kishte shkuar për të shoqëruar princ Vidin mbrriti në Durrës. Ditën që Princ Vidi erdhi në Durrës, diaspora shqiptare organizoi manifestime në mbështetje të tij, madje në Konstancë të Rumanisë u bë një shërbesë fetare (Tedeum) mbajtur në Katedralen ortodokse. Ata u dërguan telegrame Princ Vidit, Mbretit Karol të Rumanisë dhe Esad Pashë Toptanit ku shprehnin falënderimin për mbështetjen e kandidaturës së Princ Ëiedit. Parësia, pa marrë parasysh titujt e fisnikërisë u vunë në shërbim të tij, duke i ofruar besnikërinë e tyre për të mirën e atdheut. Kështu bëri Ismail Qemali, Esad Toptani, Prenk Bib Doda, etj.

Sipas Italo Sulliotit, “kur Vilhelm Vidi u thirr në fronin e Shqipërisë, Italia dhe Austria që ishin kontributorët kryesorë të formimit të shtetit shqiptar dërguan pranë tij nga një këshilltar: Italia, kapitenin Fortunato Kastoldi, ndërsa Austria konsullin Burhberger”.

Krahas Kastoldit, Italia dërgoi edhe kolonelin e artilerisë Murikio, një italo-shqiptar që ashtu si Kastoldi e njihte prej vitesh Shqipërinë. Ai kishte shërbyer në Shqipërinë e Mesme, ndërsa gjatë reprezaljeve serbe kishte shpërndarë ushqime e veshmbathje dhe dimrin e kishte kaluar në malet plot borë të Dibrës, për të lehtësuar vuajtjet e banorëve.

Kur Princ Viedi arriti në Durrës, mbreti Kostandin dërgoi përfaqësuesin zyrtar pranë qeverisë shqiptare, zotin Varatasi i cili, sipas ambasadorit të Italisë në Athinë, “…shërbeu si ndërmjetës midis kolonelit Thomson dhe Zografos”.

Luigi Albertini shkruante se “kryeqyteti shpejt do të bëhej një pus intrigash. Italianët i atribuonin të gjithë përgjegjësinë austriakëve dhe këta të fundit, italianëve dhe sidomos A1iotit”.

Gazeta “Atdheu”, në numrin e 24 prillit 1914 vinte ne dukje se “ato ditë se në Durrës kishte mbërritur baron Rotshild, i cili ishte pritur nga Princ Viedi, ndërsa për përmbajtjen e bisedës nuk u dha asnjë informacion nga ana Princit”. Shpejt arka e qeverisë do të mbetej pa para!

Silvio Chelli, në librin “Austria nemica” shkruante: “Princ Vidi, i bindur vetëm sugjerimeve vjeneze, indiferent apo armik i interesave shqiptare, goditi pikërisht ata që për të tilla interesa pak apo shumë kishin luftuar”.

Ishte vet qeveria, – vinte në dukje ai, – që me politikën e saj kishte krijuar tek myslimanët shqiptarë bindjen se Mbretëria e re donte të mbështetej vetëm mbi elementin katolik. Po aty.

“Myslimanët përbënin, përbëjnë dhe do të përbëjnë gjithnjë pjesën më të madhe të popullit shqiptar, – shkruante Chelli, – mund t’i duash apo t’i urresh, e diskutueshme, mund t’i pëlqesh apo jo, – por nuk mund t’i injorosh. E qeveria i injoroi”.

Presidenti i Francës, Poincar, ia kushtonte përgjegjësinë e gjendjes së vështirë në Shqipëri gabimeve të Princit, “…që vuri elementët katolikë kundër myslimanëve e nga ana tjetër Fuqive që nuk dhanë mjete të nevojshme për të mbajtur në këmbë qeverinë”.

Për dështimin e Princ Vidit, diplomati amerikan George Fred Williams bënte përgjegjëse diplomacinë evropiane:

“Edhe një njeri me dy parë mend do të thoshte se një popull luftarak nuk do të pranonte kaq lehtë zëvendësimin e një tiranie të vjetër me një të re, mirëpo një diplomaci pa tru bënte plane t’i impononte këtij populli një sundim arbitrar, të destinuar të dështonte”.

Princ Vidi, me shpërthimjn e luftës, u largua nga Shqipëria në bordin e një anijeje lufte italiane dhe siç shkruante oficerI italian, Guido Corni, “.. i papërcjellë nga askush dhe pa i ardhur keq askujt”.

_____________________

Marrë nga libri Shqipëria 1878-1928 (Roli i elitës politike).

error: Content is protected !!