Zgjedhjet e vitit 1921 ishin të parat në shtetin e ri shqiptar dhe qeveria e Iliaz Vrionit synonte përfaqësimin e të gjitha grupeve politike dhe fetare, qendrore dhe lokale si dhe organizmin e pushtetit të dalë nga këto zgjedhje. Nga korespondenca e qeverisë me prefekturat mësojmë se qeveria ishte e interesuar për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje dhe mosndërhyrjen e administratës në rezultatin e tyre.

Me anë të një qarkoreje të datës 2 janar 1921, të Ministrisë P. Mbrendshme dërguar prefekturave, theksohej: “Zgjedhje e deputetëve duhet të jenë fare të lira varen vetëm në dëshira të popullit”. Me gjithë dëshirën e qeverisë, zgjedhjet patën probleme, siç ndodhi në Elbasan ku, nga ankesa e popullit, qeveria i anulloi zgjedhjet duke caktuar një ditë tjetër.

Në një shkresë dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 31. 1. 1921, Kryeministri Iliaz Vrioni tërhiqte vëmendjen për zhvillimin e zgjedhjeve në Elbasan:

“Neni i parë i programit të Qeverisë mbështetet në pa anësinë e plotë të zgjedhjeve. Në Elbasan mbasi u bënë përdorime kundra ligjit të zgjedhjevet, u dha urdhën për prishjen e tyne.

Pra i shkruani rreptësisht prap asaj prefekture qi në zgjedhjet e reja që nga Prefekti deri te nëpunësi ma i vogël të sillen krejt të pa anshëm, se ndrysh duhet t’i jepni fund detyrave të tyre që tregohen”.

Në telegramin e datës 9 shkurt 1921, që u dërgohej prefekturave firmosur nga kryeministri Iliaz Vrioni dhe ministrat Xhafer Ypi e Mehdi Frashëri, theksohej: “Mas programit të Qeveris fuqit administratore, armatore, gjyksore në zgjedhjen e deputetëve duhet të jenë fare të pa anëshme. Çdo Prefekturë në kohën e zgjedhjeve nuk do të ketë tjatër detyrë për veç të kujdesohen që ligji i zgjedhjeve të aplikohet fare pa anësi. Çdo vepër kundra këtit instruksioni do të shkaktonjë largimin nga detyra të atit nëpunësi që do të guxonjë. Këtë dekllaratë ta reklamoni dhe gjith Popullit”.

Megjithë udhëzimet e qeverisë, pati mjaft ndërhyrje në zgjedhje. Kështu, në një shkresë të Ministrit të Punëve të Mbrendshme, Mehdi Frashërit dërguar Kryeministrisë më 17.2.1921, vihej në dukje se antari i Këshillit të Naltë Aqif Pasha, që kur kishin filluar zgjedhjet kishte lënë selinë e qeverisë dhe kishte shkuar në Elbasan ku po përzihej në zgjedhje dhe po ushtronte “ shtërngim mbi popullin”, duke “dashtë të përdorë veglat e qeverisë për me qit deputet njerzit e tij”.

Aqif Pasha, -theksonte ministri, -po mundohet me një mënyrë ose në tjetrën të tregojë influencën e tij me dëmin e të drejtave politike qi ka populli i Elbasanit. Ai kërkonte ti hiqej vrejtje Aqif Pashës “tue i dyftue qi shkalla qi i ka dhanë mbledhja e Kombit e ndalon të marrë pjesë në punërat e partive parlamentare”.

Probleme të ndryshme pati në të gjitha zonat e vendit. Kështu, në Shkodër zgjedhjet përfunduan më 7 qershor 1921 dhe deputet u zgjodhën 8 katolikë e 4 myslimanë.

Interesante ishte lista e deputetëve të Shkodrës: Hil Mosi kishte marrë 218 vota të dyta, Ndoc Pistuli 210, Kolë Thaçi 200, Pashko Gurakuqi 196, Riza Dani 134, At Gjergj Fishta 125, Dom Ndre Mjeda 121, Maliq Bushati 120, Luigj Gurakuqi 110, Halit Rroji 99, Xhemajl Begu 86 dhe Palok Saraci 82 vota.

Zgjedhjet ishin zvarritur për shkak të revoltës së klubit të të rinjve katolikë të qytetit që kundërshtonin kandidaturën e Gjergj Fishtës dhe Luigj Gurakuqit.

_______________

Shkrimi është mbështetur mbi të dhënat e Fondit 152, viti 1921, dosjet 22, 23, 24.

error: Content is protected !!