Kryengritja e marsit 1922, që historiografia zyrtare e quan “Lëvizja e marsit”, u shtyp nga qeveria e Xhafer Ypit dhe ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu. Parlamenti nuk mund të mblidhej deri në ditët e para të shtatorit të atij viti.
Në bisedimet e Këshillit Kombëtar të datës 14 shtator 1922, Ministri i Brendshëm iu përgjigj diskutimit të gjatë të Luigj Gurakuqit. Midis të tjerave ai theksoi:
“Për me ruejt nderin e Shtetit qeveria ka sakrifikue edhe sa nëpunës e oficerë të saj që kanë ra dëshmorë për me krye detyrën e me mbajt nalt nderin e tyre e të popullit.
Z. Gurakuqi kritikat që bëri i ndau tri sojesh, por zotnija e tij ka harrue edhe një të katërt, e cila është kritika për kritikë… se do me kritikue. Zotnija e tij tha se qeverija shkeli nomin e doli jashtë kufisë.
I përgjigjem Zotënisë së tij: kur Bajram Curri, komandant i ushtrisë, një njeri i Shtetit i cili ka për detyrë mbrojtjen e atij Shteti karshi armiqve, niset me nje fuqi prej 1000-2000 vetash e sillet mbi Shkodrës për me kurdis një qeveri të dytë, mbi atë anë të lumit të Matit, qysh qeveria të mos zbatojë nome pak të forta?
Në këtë ras dua të kujtoj popullin fisnik të Shkodrës, i cili i dha përgjigjen ashtu siç e meritonte.
Prap një tjetër Halit Lleshi, me një fuqi niset mbi Elbasan e vjen deri në grykët e Shënulit, qysh qeverija të mos veprojë ashtu me energji si u duhet?
Prapë qysh qeverija të mos marrë masa të rrepta, kur Elez Jusufi me një fuqi 5-600 vetash me këshillat e Zija Dibrës, oficer i vlefshëm por i pa moral, hynë në kryeqytet, ku plasi pushka për një kohë shumë të gjatë?
Në këtë pikë do të them se po të mos kishte veprue nëpër rruga e nëpër binatë Qeveritare pak ma rreptë qeveria e mos të kishte përdorë nome pak të rënda, nuk do të kishte mujt me shpëtue Shqipnia… Mos harroni Zotnija juej se ky parlament ku Zotnia Juej po mbani lirisht fjalën, dy muaj më parë ka qenë i barrikaduem, si një istikam, e gjithë këto penxhere kanë qenë të mbylluna me tulla…”
___________
Në foto: oficerët që shtypën kryengritjen e Marsit 1922