Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913) u tha që kufiri i Shqipërisë do të arrinte deri në Manastirin e Shën Naumit. Kundër vendimit kundërshtuan serbët, duke pretenduar mbi arsye historike dhe fetare. Italia e Austria, të cilat përkrahën veçanërisht krijimin e Shqipërisë, me një letër që i kishin drejtuar Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, kishin pranuar që kufiri i Shqipërisë të vinte deri te Manastiri i Shën Naumit. Konflikti i vitit 1913 dhe pretendimet e Serbisë, bënë që Austria të insistonte që Serbia të hiqej nga tokat shqiptare, nga lugina e Drinit dhe e Pogradecit. Serbia u tërhoq nga lugina e Drinit, por jo dhe nga Shën Naumi e Pogradeci. Një ultimatum i Austrisë e detyroi Serbinë të lëshonte Pogradecin, por jo dhe Shën Naumin.
Megjithëse punët ishin të ngatërruara, u dërgua një komision ndërkombëtar për të caktuar kufirin, por edhe ai nuk një vendim të prerë për Shën Naumin. Më 1914 filloi lufta e përgjithshme dhe komisioni u shpërnda.
Konflikti shqiptaro-jugosllav për Shën Naumin
Përfundimi i luftës së Parë Botërore e gjeti Serbinë përsëri në luginën e Drinit e të Shën Naumit. Më 1921-1922 pati konflikte kufitare shqiptaro-serbe. Një vit më vonë ndodhi kryengritja e Mirditës dhe Jugosllavia hyri përsëri në luftë me Shqipërinë. Atëherë ndërhyri kryeministri i Anglisë, Llojd Xhorxh, i cili iu drejtua Lidhjes së Kombeve. Lidhja e Kombeve kërkoi që kufiri i caktuar më 1913 të zbrazej nga Serbia dhe jo vetëm të zbrazej, por serbët të tërhiqeshin edhe 20 km më tutje. Në këtë kohë u caktua një zonë neutrale midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Me gjithë që Shën Naumi gjendej brenda zonës neutrale në hartë nuk figuronte. Lidhja e Kombeve dërgoi në Shqipëri një komision për të vërtetuar nëse Jugosllavia e kishte zbrazur Zonën Neutrale. Në atë komision qeveria shqiptare kishte përfaqësues të saj Mehdi Frashërin. Ai punoi shumë që Shën Naumi t’i mbetej Shqipërisë. Pastaj erdhi një komision për të caktuar përfundimisht kufirin midis Shqipërisë e Jugosllavisë. Në atë komision ishin përfaqësues të fuqive të mëdha, si dhe të Shqipërisë e Jugosllavisë. Por, përsëri nuk u caktua një kufi përfundimtar.
Një vit më vonë erdhi përsëri komisioni dhe vendosi që Shën Naumi ti mbetej Shqipërisë. Vendimin e pranoi edhe Konferenca e Ambasadorëve në Paris. Mirëpo, Jugosllavia nuk iu bind vendimit dhe kërkoi rishikimin e tij. Atëherë Franca doli hapur në favor të Jugosllavisë, ndërsa Anglia në favor të Shqipërisë. Çeshtja shkoi përsëri në Konferencën e Ambasadorëve, e cila nuk i dha një zgjidhje, por tha se, meqë çeshtja mori formë juridike, duhej të vinte në Lidhjen e Kombeve. Lidhja e Kombeve tha se çeshtja duhej të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare, e cila vendosi që Shën Naumi t’i mbetej Shqipërisë.
Vendimi iu komunikua Lidhjes së Kombeve, por meqë ajo nuk kishte të drejtë ekzekutive dhe as forca të tilla, ia dërgoi Konferencës së Ambasadorëve në Paris. Konferenca e pranoi që Shën Naumi ti mbetej Shqipërisë, por tha se vija që kishte vendosur komisioni i kufirit ishte shumë dhe lipsej të caktohej 750 m larg Manastirit të Shën Naumit.
Nga njëra anë Konferenca e Ambasadorëve pranoi që kufiri të ishte një qark 750 metra larg nga manastriri, nga ana tjetër i rekomandoi qeverisë shqiptare të hynte në marrëveshje direkte me qeverinë jugosllave. Kjo, – theksonte ministri i Jashtëm Myfid Libohova, – ishte që, me dorën e djathtë na i jepnin, e me të majtën na i merrnin.
Bisedime të dështuara
Sipas rekomandimeve të Konferencës së Ambasadorëve, qeveria shqiptare dhe ajo jugosllave filluan bisedime për rregullimin e vijës kufitare. Qeveria shqiptare kërkoi disa vise të Gjakovës që të hynin brenda kufirit të Shqipërisë, por jugosllavët nuk pranuan, për arsye strategjike. Atëhere qeveria shqiptare kërkoi rrafshin e Hasit dhe Bamishten e Dibrës, por jugosllavët nuk pranuan. Në ato kushte, qeveria shqiptare e shpuri çeshtjen në të dy dhomat: të deputetëve dhe të Senatit, për të kërkuar mendimin e tyre, nëse e shihnin të dobishme për shtetin shqiptar një këmbim tokash me Jugosllavinë.
Diskutimi i çështjes në Asamblenë Legjislative
Mbledhja e përbashkët e Senatit dhe Dhomës së Deputetëve filloi në 16 korrik 1925, ditën e enjte, në orën 6 pas dreke.
Pati debate për mënyrën e zhvillimit të seancës. Qeveria ishte për tu zhvilluar debati me dyer të mbyllura, por disa deputetë kërkuan seancë të hapur, qeveria ishte dakord. Ministri i Punëve të Jashtme, Myfid Libohova tha se përfaqësuesit e popullit në këtë tribunë ishin të lirë të thoshin çfarë të donin dhe nuk kishte asnjë fuqi që t’i ndalonte. Libohova bëri një ekspoze për histroikun e mosmarrëveshjeve shqiptaro-jugosllave për Shën Naumin. Sipas tij, çeshtja e kufirit midis Jugosllavsë e Shqipërisë kishte mbetur e varur.
Komisioni i Jashtëm i Senatit dhe Dhomës së Deputetëve i parashtroi Asamblesë propozimin e Jugosllavisë në këmbim të Shën Naumit. Me qënë se qeveria Jugosllave e kërkonte Shën Naumin për arsye fetare, morale dhe jo më pak për prestigj kombëtar, ajo propozonte që ti jepte Shqipërisë katundin Peshkopi me 60 familje, thjesht shqiptare, e të gjithë luginën e sipërme të Cerravës, e cila siguronte rrugën Korçë-Pogradec-Elbasan. Përsa i përkiste zonës së Vermoshit, qeveria jugosllave hiqte dorë nga pretendimet e saj me përjashtim të një pjese të vogël pylli, në perëndim të Vellopoljes. Karshi kësaj i jepte Shqipërisë një Bjeshkë tjetër midis Libovicës dhe maja e Bojsës deri në Lubraja. Gjithashtu ajo lejonte shfrytëzimin e tokave të fshatarëve të zonave kufitare që i kishin përtej kufirit dhe tregtimin lirisht dhe pa pagesë të fshatarëve në kufi të Gjakocës, Prizrenit dhe Dibrës në tregjet përtej kufirit.
Arsyetimi i komisionit të jashtëm mbështetej në disa argumente: në tokën që kërkonin jugosllavët nuk ndodhej as një banesë dhe asnjë godinë veç një manastir; se që nga viti 1913 ishin nën pushtimin serb dhe jugosllav, se lirimi i manastririt dukej i largët dhe se vazhdimi i konfliktit shtonte shpenzimet financiare për shtetin shqiptar; pranohej Asambleja Legjislative t’i jepte qeverisë autorizim të plotë të trajtonte çeshtjen definitivisht siç e lypte interesi i shtetit.
Deputetët kërkuan shpjegime nga delegati i qeverisë, Mehdi Frashëri. Myfid Libohova bëri një ekspoze të gjatë dhe në përfundim u tha deputetëve që, nëse ata ishin dakord qeveria do ta bënte shkëmbimin, pasi të shikonte interesat e popullit dhe të shtetit. Por, nëse ata nuk ishin dakord, qeveria nuk e bënte një shkëmbim të tillë. Interesante ishin bisedimet e Ferit Vokopolës, Jashar Erebarës, Rauf Ficos, Mihal Sherkos, etj.
Marrja e vendimit
Më 18 korrik 1925, Senati me Dhomën e Deputetëve të mbledhur së bashku, votuan për çeshtjen e kufijve shqiptaro-jugosllavë dhe pranoi në parim një shkëmbim toke midis të dy shteteve, si dhe autorizoi qeverinë të hynte në marrëveshjet e duhura, në pajtim me interesat e shtetit dhe popullit shqiptar.
Votimi ishte nominal. Nga 52 deputetët dhe senatorët e pranishëm, 42 ishin për pro, 9 për jo dhe 1 abstenim. Ata që votuan kundër ishin deputetët e Shkodrës, por jo pse kundërshtonin në parim, por sepse donin që këmbimi i Shën Naumit të bëhej duke përfituar territore zona e Shkodrës.
Siç del nga bisedimet e Asamblesë Legjislative, qeveria dhe presidenti Ahmet Zogu, nuk bënë asnjë veprim të pambështetur në ligj e në praktikën ndërkombëtare, të njohur përgjithësisht. Shto këtu faktin e përmendur më sipër, që shteti shqiptar nuk e kishte patur asnjëherë në posedim Manastirin dhe as nuk e merrte dot, qoftë edhe me luftë.
Përfundimisht, duhet theksuar se, roli i Ahmet Zogut, si President i Republikës, në këtë çeshtje, është fare i papërfillshëm. Procesi i definimit të kufijve shqiptaro-jugosllavë është caktuar nga Fuqitë e Mëdha dhe bisedimet shqiptaro-jugosllave për çeshtjen e manastrit të Shën Naumit janë drejtuar nga të famëshmit Myfit Libohova dhe Mehdi Frashëri dhe janë kontrolluar nga Asambleja Legjislative. Në aspektin religjoz, të gjithë deputetët dhe senatorët ortodoksë, të pranishëm, diskutuan dhe votuan pro këmbimit.