Nga Xhafer Sadiku
Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe shtetet serioze nuk veprojnë kuturu e si tu dalë përpara. Ato punojnë mbi projekte të vjetra, ndonëse të modifikuara përgjatë dekadave, pse jo edhe shekujve. Ato thjesht gjejnë njerëzit e përshtatshëm për të zbatuar në terren atë që ekziston në kasafortat e tyre.
Kështu, p.sh., Plani Ahtisari, për komunat me shumicë serbe në Kosovë, duket se është i ngjashëm me marrëveshjen austro-ruse të vitit 1903, të Murshteg-ut. Madje edhe kjo e fundit e ka origjinën qysh në vitin 1781, në një marrëveshje të fshehtë midis Austrisë e Rusisë, e nënshkruar nga Jozefi II i Austrisë dhe Katerina II e Rusisë, për çështjen e Ballkanit. Po çfarë përmbante marrëveshja e vitit 1781?!
Sipas saj, Austria ia rezervonte vetes pjesën perëndimore të Ballkanit, d.m.th. Bosnje-Hezergovinën, Serbinë, Shqipërinë me pjesën e Maqedonisë deri në Selanik.
Rusia pretendonte të merrte Moldavinë, Vllahinë, Bullgarinë, Thrakën me Stambollin e Dardanelet. Por ky projekt nuk u vu në veprim për shkak të vdekjes së Jozefit II dhe të shpërthimit të Revolucionit francez.
Marrëveshja ishte përtërirë dhe plotësuar me traktate të tjerë në vitet 1897 dhe 1903, me marrëveshjen e Murshtegut.
Më 21 shkurt 1903 Vjena e Peterburgu i propozuan Portës një projekt të përbashkët të aprovuar edhe nga fuqitë e mëdha. Portës së Lartë i kërkohej të bënte një ndryshim të kufijve territorialë të njësive administrative në vilajetin e Selanikut e Manastirit, në lidhje me një grupim të rregullt të kombësive të ndryshme. Kjo kërkesë u bë burim grindjesh të reja midis nacionaliteteve në Ballkan.
Kështu, nisi lufta e çetave greke me ato bullgare për të tërhequr secila në anën e saj popullsinë shqiptare-ortodokse dhe vllahe në vilajetin e Selanikut dhe Manastirit. Po kështu, në Kosovë pati përplasje midis çetave bullgare dhe serbe.
Një nga parimet e reformës që propozonte Austro-Hungaria e Rusia ishte organizimi i një xhandarmërie maqedone e instruktuar nga oficerë të Evropës për të mbrojtur vendin nga trazirat dhe provokimet e çetave bullgare e për të mbrojtur pasuritë e jetën e gjithë popullsisë që përbënte Maqedoninë. Numri i oficerëve evropianë të dërguar nga çdo fuqi e madhe ishte nga nëntë për secilën, nën komandën e gjeneralit italian De Georgis.
Zonat u ndanë në këtë mënyrë: Italia në vilajetin e Manastirit, Franca në sanxhakun e Serrezit, Anglia në Dhrahme, Rusia në sanxhakun e Selanikut dhe Austro-Hungaria në vilajetin e Shkupit.
Me pretekstin e reformave në Maqedoni shqiptarëve nuk iu njohen të drejtat e tyre kombëtare, as të çliroheshin plotësisht dhe as të bashkoheshin kombëtarisht. Shqiptarët shiheshin nga Fuqitë e Mëdha si pengesa më e madhe e projekteve të tyre.
Elita shqiptare në Stamboll reagoi dhe me mbështetjen e tyre, Sulltan Abdylhamidi II emëroi në postin e Vezirit të Madh, Ferid Pashë Vlorën, “kreun e lidhjes shqiptare në Stamboll”.
Një rol të rëndësishëm në dështimin e reformave austro-ruse në Maqedoni, luajti garda perandorake e Sulltanit, ku shumicën e saj e përbënin shqiptarët.
Me shpalljen e kushtetutës, Porta e Lartë u deklaroi fuqive se qytetarët ishin të barabartë dhe nuk ishte e nevojshme diferencimi mbi baza fetare e kombëtare.
_______________
Vetëm në vilajetin e Manastirit, deri në fund të vitit 1905, u vranë nga çetat bullgare 417 grekë ndërsa çetat greke vranë 451 bullgarë. Në mes të Majit 1905, në rrethinat e Grebenesë, çetat greke vranë 60 vllehë.