Nga Xhafer Sadiku

Në fillim të viteve 1920, të majtët futën në ligjërimet politike termat “djalëri”, “atdhetar”, “tradhëtar’, etj. Ishte koha kur në Rusi kishte triumfuar revolucioni bolshëvik, ideologjia e të cilit ishte përhapur në tërë Ballkanin, përfshirë edhe Shqipërinë. Qysh atëherë, oratoria e politikanëve dhe shtypit të majtë do të karakterizohej nga hipokrizia patriotike apo thënë ndryshe, atdhetarizmi i rremë.

Të majtët e mbanin popullin nën frikën e konservatorizmit duke i përshkruar këta si tradhëtarë. Në të vërtetë, konservatorët donin që çdo hap drejt përparimit të hidhej i matur, për të ruajtur paqen sociale dhe mbrojtur interesat e popullit.

Ndryshe nga atdhetarët konservatorë, atdhetarizmi hipokrit nxiste ndjenjat patriotike të djalërisë për ti përdorur kundër kundërshtarëve të tyre politikë, sikur kinse ata, po rrezikonin atdhenë. Ata përçanë popullin duke e trembur me “gogolin e feudalizmit”, madje duke e ndarë në “djelmninë idealiste” dhe në “prapanikë” ose “tradhëtorë”, “shitës të atdheut në të huajt”!

Atdhetarët hipokritë, duke mos e përballuar dot prestigjin e lartë të konservatorëve dhe neokonservatorëve, përdorën vrasjet politike si armë kundër tyre, duke i etiketuar të gjithë si “tradhëtarë”. Gjatë viteve 1920-1924, numri i të vrarëve me atentate nga radhët e konservatorëve ishte i madh.
Me grushtin e shtetit të qershorit 1924, e majta tregoi pa aftësi proverbiale në qeverisjen e vendit, madje brenda një periudhe të shkurtër filluan grabitjet e pasurive kombëtare.

Pas triumfit të ligjshmërisë në dhjetor 1924, shumica e të majtëve u larguan jashtë atdheut dhe një numër i konsiderueshëm i atyre që deri atëherë akuzonin konservatorët si “tradhëtarë”, u vunë në shërbim të armiqve të Shqipërisë. Pati prej tyre që veshën këmishën e zezë të pushtuesit dhe u bënë antarë të Partisë Fashiste, për të kaluar më pas në Partinë Komuniste.

Me fitoren e së Majtës ekstreme, në 1944, komunistët u vetshpallën si patriotët e vetem të këtij vendi dhe kundërshtarët e tyre i quajtën “tradhëtarë”, duke i shpronësuar, burgosur dhe ekzekutuar. Është e tepërt të përmendim shifra, pasi që ato janë bërë publike.
Përgjatë gjysëm shekulli të regjimit të tyre, të Majtët që vetquheshin patriotë dhe atdhetarë, në fakt ishin shërbëtorët e Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Megjithë rënien e regjimit komunist, e Majta nuk e humbi pushtetin por pësoi metamorfozë duke privatizuar pasuritë kombëtare dhe në bashkëpunim me Mafien ndërkombëtare u bënë zotër të sektorëve strategjikë të ekonomisë.
Pasi realizuan këtë proces, iu kthyen përsëri termave të vjetër, duke e quajtur veten “progresistë”, “patriotë” dhe “atdhetarë”, ndërsa kundërshtarët e tyre si “reaksionarë”, “tradhëtarë”, etj. Natyrisht, në ndihmë të tyre kanë shkuar shumë renegatë me origjinë konservatore.

Njëlloj si para ardhësit e tyre, të majtët e sodit janë në të vërtetë atdhetarë hipokritë, pasi janë shërbëtorët e të huajve duke rrezikuar madje edhe copëtimin e territoreve të atdheut.
Klika mafioze-bolshevike e ka thelluar përçjen e popullit sipas vijës ideologjike, duke përdorur retorikën politike të viteve 1920-1924.
Për çudi, konservatorët nuk po i përgjigjen me të njëjtën monedhë që iu përgjigjen koncervatorët e atyre viteve. Megjithëse duhet pranuar se kushtet nuk janë të njëjta, madje shumë të vështira për ta.

error: Content is protected !!