Nga Av. Xhafer sadiku
Vetvrasja e fundit është e radhës në numrin e pafund të kësaj epidemie që ka përfshirë Shqipërinë. E megjithë këtë, asnjë reagim nga institucionet shtetërore e organizata shoqërore.
Asnjë nga këta nuk shqetësohet për fatin e njerëzve dhe familjeve shqiptare dhe as gjendjen në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare.
Edhe ato dy tre zëra nga radhët e sociologëve dhe mjekëve nuk thonë asgjë me vlerë. Kështu,sociologët thonë se shkak është trashëgimia, ndërsa mjekët e gjejnë shkakun tek helmet që tregëtohen lirisht.
Që “teoritë” e tyre janë pa asnjë bazë na e tregojnë shembujt nga historia, jo vetëm nga vendet e tjera të Evropës dhe të botës, por edhe Shqipëria.
Në Francë, pas përhapjes së teorive volterjane, në kohën e terrorizmit, u shpeshtuan vetvrasjet Vetëm në Paris e Versajë, në vitin 1793, u vërtetuan 1300 vetvrasje. Qysh atëherë, vetvrasja mori nji ritëm të vrullshëm. Midis viteve 1871-1900 shifra e vetvrasjeve në shtetet ku mbaheshin statistika arriti në 1.069.568. Vetëm në Gjermani pati 300.000 vetvrasje! Në dhjetvjetshin e fundit të shekullit XIX, në Europë u rregistruan 40.000 vetvrasje, nder të cilat 20.000 ishin në Francë e Gjermani. Në shekullin XX, në Evropë, numri vetvrasjeve u rrit akoma më shumë.
Po të hedhim një vështrim në të kaluarën e popullit tonë, deri aty nga fundi i vitet 1920, vetvrasjet në Shqipëri pothuajse nuk njiheshin. Vetëm dekadën e mëvonshme numri i vetëvrasjeve u bë objekt i medias dhe klerit, që e konsideronte një kob për Shqipërinë.
Shtypi i kohës, sidomos ai religjoz, fajësonte mënyrën e edukimit nëpër shkolla dhe për këtë bënte përgjegjës disa profesorë, që me teoritë e tyre të huazuara edukonin keq nxënësit me “parime filozofike të shtrëmta e sidomos të romanzave pesimista e sentimentala”.
Se çfarë ndikimi kishin intelektualët e kohës në edukimin e të rinjve, na e tregon revista Leka: “…Sot, pa kalue ende nji faqe nieri s’ guxojmë të çelim gojë per të naltue vertyte shqiptare, pse rijnija e mbajtun nder shkolla të hueja me djersë të këtij populli – të pa këmishë në shtat e pa të mbathuna në kambë – me uzdajë rimkambjeje, s’ andejmi na pruni me atheizem dhe vese të tjera qi per ne ishin fare të panjoftuna. Ata, në vend qi të thithshin si bletat nder lule të vertyteve të vendeve ku kjene, shka ma të mirë gjindej, u ndalen si bumbellat nder plehna t’ atjeshem …”
Në shoqërinë e sotme shqiptare, shkaku kryesor i vetvrasjeve është shtypja dhe padrejtësia që u bëhet njerzve të thjeshtë. Ata janë viktimat e tyre. Me ndonjë përjashtim të rrallë, për të pasurit, të pushtetshmit dhe shtypësit nuk ka të dhëna për vetvrasje.
Fajtori kryesor i shkaktimit të vetvrasjeve është qeveria shtypese masono-bolsheveike, e ashtuquajtur “socialiste”, e cila, nëpërmjet privilegjeve për kastën dhe korrupsionit, ka krijuar henedekun e thellë midis të pasurve dhe të varfërve, midis shtypësve dhe të shtypurve.
Masat e saj kundër të varfërve dhe të ndershmevë janë të shumta dhe kanë rritur presionin mbi ta. Rritja e taksave, prishja e banesave, pushimet nga puna, “reformat” arsimore dhe shëndetësore, lënia pa mbrojtje, etj, janë disa nga shkaqet kryesore që kanë rritur vetvrasjet në Shqipëri.
Aq shumë është përhapur kjo plagë në shoqërisnë shqiptare, sa që janë vetvravë edhe të burgosurit në qeli! Dihet që, presionin e shtypjes dhe varfërisë nuk e mbajnë dot të gjithë dhe bien në depresion që i shpie në vetvrasje.
E ndërsa vetvrasjet shtohen, marrja e masave për parandalimin e tyre mungojnë tërësisht. Megjithëse universitetet diplomojnë me shumicë sociologë, psikologë, mjekë e juristë, roli i tyre në parandalimin e vetvrasjeve, nëpërmjet edukimit të të rinjve dhe shoqërisë në tërësi, është pothuajse zero. Ata, jo vetëm duhej të mbanin peshën e presionit që ushtron qeveria dhe të koruptuarit mbi shtresat e varfëra dhe të mesme, por duhej të ishin kundërshtarë të vendosur të terrorit të saj.
Shtypi luan rol të rëndësishëm në shtimin e vetvrasjeve, nëpërmjet botimit të kronikave vetvrasjesh, fotove dhe komenteve. Aq i madh është ndikimi i tyre në rritjen e numrit të vetvrasjeve, sa që po e ilustrojmë me një shembull të qeverisë italiane, e cila, në 1928, e ndaloi botimin e shkrimeve të tilla. Pas kësaj, numri i vetvrasjeve në Itali u ul ndjeshëm.
Roli i medias shqiptare jo që nuk është parandalues i vetvrasjeve, por nëpërmjet programeve dhe “analizave”, prodhon të kundërtën. Jo më kot është quajtur “kazan mediatik”. E nga këta “kazanë mediatikë”, gjithfarë levantinësh dhe putanash, i përcjellin rinisë modelin e tyre të pështirë të jetesës, si model “modern! Modelin e kurvërisë, kacafytjeve, rrahjeve, sharjeve, perversitetit, na i shesin si vlerë!.
Dhe nga ekranet e kazaneve, i tregojnë rinisë dhe popullit, “patriotizëm” dhe “nacionalizëm” të dalë boje.
Ndërkohë, intelektualëve dhe krijuesve, që njihen për vlerat njerëzore dhe patriotike të dëshmuara, nuk u lënë asnjë hapsirë për të ndriçuar mendjet e të rinjve dhe për të rikthyer shpresën e njerzve se në këtë vend me resurse, mund të jetohet me nder e dinjitet.
Dhe në fund, roli i klerikëve dhe komuniteteve fetare në vend, duket sikur nuk është në nivelin e paraardhësve të tyre. Megjithëse duhet thënë se nga radhët e besimtarëve të tre komuniteteve fetare, numri i vetvrasjeve është i papërfillshëm. Megjithë pengesat që u imponojnë klasa e degjeneruar politike dhe të huajt, roli i tyre në parandalimin e vetvrasjeve duhet të jetë më i madh në shoqëri, për më tepër që Kurani e Bibla i këndojnë jetës dhe vlerave morale.