Në një shkresë private të shefit të shtabit madhor të ushtrisë Austro-Hungarisë, Konrad, në datën 8 shkurt 1913, bëhet fjalë për marrëdhëniet e Vjenës me Beogradin dhe gjendjen në Shqipëri. Nga përmbajtja e letrës, ajo dukej se i qe dërguar ministrit të Jashtëm të perandorisë dhe i shpjegonte që në rast të një lufte me Serbinë, shtabi madhor i Vjenës do të nxiste shqiptarët në një kryengritje antiserbe dhe për këtë qëllim kishte caktuar 12.000 pushkë. Konrad shkruante shprehimisht: “Jam i mendjes dhe tashti se Monarkija do të hyjë në luftë kundër Serbisë, sepse në madhimin e këtij shteti shoh një rrezik të madh për Monarkinë, i cili rrezik sa më tutje të shtyhet aq më e vështirë do të jetë zhdukja e tij. Besoj se bile çeshtja e caktimit të kufijve të Shqipërisë – në dashtë Monarkia të mos prapset – do të na shpjerë në konflikt me të. N’ ardhtë puna për luftë, atëherë është me rëndësi tepër të madhe, që ushtritë serbe të lidhen nëpër një kryengritje shqiptare. Prandaj kemi nder mend që t’u japim shqiptarëve armë. Për këtë gjë kemi caktuar 12000 pushkë.
Kuptohet se këto s’duhen dërguar në Shqipëri para kohe, se po të pëlcasë kryengritja pa kohë do të jetë më kot e s’jep dobi. Por për ta provuar rrugën, nëpër të cilën do të jetë përgjithësisht e mundëshme, që të dërgohen armët dhe për t’u provuar shqiptarëve, jo vetëm me fjalë të thata, por dhe me një fakt, se duhet të besojnë q’ Austro- Hungaria do t’i përkrahë, kemi vendosur të dërgojmë që tashti një sasi të vogël të pushkëve në fjalë; me gjithë të dhe këto sot për sot gjenden brenda tokës së Monarkisë. Sa për thyerjen e neutralitetit, kemi marrë shumë lajme që na e pohojnë, se shtetet e tjerë e sidomos Rusija e Franca s’e vënë aspak ujët në zjarr e bile dhe Italija që prej shumë kohe ka nisur të futë në Shqipëri kontrabandë armë, sidomos pushkë e municion dhe bile nga armët e modeleve më të fundit. Po këto ditë na kanë ardhur lajme fare të reja se nga Odesa po dërgon Rusija për në Tivar topa të mëdhenj e gjyle, që mund të përdoren për të shkelur Shkodrën, që s’i jep dorë Monarkisë kurrësesi. Veç kësaj Shëlqesisë s’Uaj po i dërgojmë dhe një shkresë të gjatë me hollësira mbi këtë argument me nr. Evl. 399. Natyrisht e cmoj mirë pikpamjen e Shkëlqesisë s’Uaj në politikën e jashtme, megjithë atë i lutem Shkël. s’Uaj që të mos e harroni përgjegjësinë e rendë që më bije mua, në ardhtë puna për luftë dhe t’a merrni në kujdes detyrën teme që jam i shtërnguar të bëj përgatitjet e nevojshme për një rasë të atillë; këtë gjë më duhet ta bëj dhe nga shkaku, se nuk dihet me siguri, në mos ngatërrohet Monarkija e jonë dhe në ndonjë luftë më të madhe”.