Në mars 1941, prifti jezuit Fluvio Cordignano publikoi në “Rivista d’Albania” të Shoqërisë Mbretërore të Italisë, një shkrim, në të cilin, sipas Patër Anton Harapit, përçmonte shqiptarët, të drejtat dhe karakterin kombëtar, zhvleresonte Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, poshtëronte historinë e traditat dhe e trajtonte popullin shqiptar si të degjeneruar e rracë arixhinjsh.

Në fakt, Kordinjano kishte vite që nuk gëzonte respektin e franceskanëve shqiptarë. Sipas Patër Anton Harapit, në një buletin misionar, P. Cordinjano me shkrim dhe me foto, e paraqiste popullin shqiptar si ciganë të vërtetë e të degjeneruar. Patër Anton Harapi theksonte se për të shmangur konfliktet, revista prestigjoze “Hylli i Dritës” kishte heshtur.

Publiku shqiptar u trondit nga një shkrim i tillë. Delegati apostolik, Leone De Nigris, duke e ditur që periodiku “Hylli i Dritës” ishte autoritet i dorës së parë në Shqipëri, i dërgoi një letër në formë këshille dhe donte që revista të mos publikonte asgjë si replikë të shkrimit të jezuitit italian. Revista heshti, por në të gjitha mjediset shqiptare, duke përfshirë edhe ato klerikale, menduan të mos e linin të kalonte në heshtje shkrimi në fjalë.

I ndodhur përpara kësaj situate, – shkruante Patër Anton Harapi, – duke parashikuar përgjegjesinë e rëndë përpara pasojave, e gjeta të arsyeshme të bëja një recension për publikimin e dhënë duke precizuar pikpamjet tona për qendrimin anti shqiptar të Kordinjanos. Por shkrimi i tij ngjalli reagimin e delegatit apostolik në Shqipëri, Leone De Negris, i cili, më 19 shkurt 1942 e thirri franceskanin e njohur dhe, duke e kërcënuar, insistoi se franceskanët nuk ishin as klerikë katolikë të mirë por as besimtarë të mirë.

Në një relacion të datës 4 mars 1942, drejtuar Vatikanit, Anton Harapi ankohej për qendrimin e të dërguarit apostolik. Ai theksonte se delegati apostolik e kishte thirrur përsëri duke e kritikuar ashpër, por këtë herë në prani të Arqipeshkvit të Shkodrës e të Sapës. Në këtë takim, arqipeshkvët replikuan me delegatin apostolik dhe mbështetën qendrimin e Patër Anton Harapit. Ata deklaruan se kjo është ndjenjë e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, të cilët, mendojnë, ndjejnë e protestojnë si ne.

Patër Anton Harapi i raportonte Romës se priftërinjtë jezuitë, për 30 vjet rresht, protestonin kundër franceskanëve, kundër të cilëve pretendonin shkollat e themeluara nga franceskanët, shumë vjet më parë.[1]

Kundër Kordinjanos u botuan tre shkrime të tjera: njëri nga një prift, tjetri nga një grup profesorësh dhe i treti nga organi i ministrisë së arsimit publik “SHKËNDIJA”.

——-

[1] AQSH, fondi Urdhëri Franceskan, viti 1942, dosja 1231, f. 1-5; Relacion nr. 101/x datë 4 mars 1942 i Patër Anton Harapit dërguar Ministrit të përgjithshëm të Frati Minor në Romë. (Relazione sull’ atteggiamento del Delegato Apostolico. Noc. Leone G. B. Nigris verso i Francescani Albanesi nelle questioni di massima importanza.

error: Content is protected !!