Në qershor 1952 organet e Sigurimit të shtetit nëpëmjet BP “Bjondina e këndshme” u informuan se grupi i Hamit Matjanit qarkullonte në rrethin e Korçës. Në informacionin në fjalë kishte të dhëna edhe për dy baza ku ata strehoheshin, njëra në Libonik dhe tjetra në Moçan.
Për të shtirë në dorë grupin, Sigurimi bëri plan operativo-agjenturial për të rekrutuar Rr. A. Për të kontrolluar nga afer banesën e tij u tërhoq në bashkëpunim të Sigurimit “Miniera e Tepelenës”, i cili ishte bashkëfshatari i Rr.A. dhe gëzonte besimin e tij.
Në Korçë shkuan kuadrot kryesore të Sigurimit të shtetit dhe pasi vëzhguan pozicionin e shtëpisë së Rr. A., vendosën që ta tërhiqnin në bashkëpunim të Sigurimit të shtetit. Për këtë qëllim, sigurimi arrestoi në mënyrë të fshehtë të dy djemtë e tij. Njëri punonte në fshat në bujqësi, ndërsa i dyti ishte infermier në Pojan.
Për të maskuar arrestimin sekret të tyre, Sigurimi legjendoi (gënjeu). Për të parin sikur shkoi në zbor dy mujor dhe për të mbuluar arrestimin, nga zona u thirrën në zbor edhe 20 persona.
Për tjetrin u legjendua sikur u dërgua në një kurs infermierie për specializim në Tiranë. Për maskimin e tij, familjes i dërgohej çdo muaj rroga që ai merrte.
Atyre iu bë presion i madh në Sigurim, por ata nuk pranuan se grupi i Hamit Matjanit strehohej në shtëpinë e tyre.
Në maj-qershor 1953, u arrestua në mënyrë sekrete edhe babai i tyre, i cili u dërgua në Degën e Brendshme Korçë, për ta tërhequr në bashkëpunim të Sigurimit të Shtetit. Në rekrutimin e tij morën pjesë kuadrot kryesore të Sigurimit në Korçë dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Babait iu nxorën djemtë me pranga në duar dhe ju vu kusht që, për të shpëtuar djemtë dhe veten e tij të vihej në dispozicion të Sigurimit. Duke parë djemtë e torturuar dhe me pranga në duar, plaku u thye. Ai u la i lirë, por djemtë u mbajtën peng, gjithë me legjendën si u tregua më sipër.
Por Sigurimi nuk besonte te Rr. A. dhe veprimet e tij i kontrollonte “Miniera e Tepelenës”, njeri i besuar i regjimit.
Ndërkohë, “Miniera e Tepelenës” u udhëzua të shkonte në takim më grupin e Xheladin Tresovës, i përbërë prej 5 vetësh. Sigurimi e rrethoi vendin, por grupi shpëtoi duke u futur në një përrua.
Në këtë periudhë Rr. A. u arrestua dhe, pas një viti të mbajtur peng në birucat e Sigurimit, u shpall arrestimi i dy djemve të tij.
Rr. A. u dënua me vdekje ndërsa djemtë e tij me afate të gjata burgimi.
Historiku i Sigurimit të shtetit të Rrethit Korcë 1943-1975.