I dashur Shefqet
Jahon e kam lajmëruar unë qysh mbrëmë natën.
Tash mora lajme nga Kuçi se balli është tërhequr për në Bolenë dje në mbasdreke. Idrizi me fuqin e tij qendron në Çorraj. Fillova mobilizimin këtu unë porse edhe këtu shumë të ftohtë e më thanë se deri pasnesër do të mobilizohemi, por tashti që do të shohin fuqi Brigatën do të dalin të gjithë, por qefin e kanë të vijnë andej nga juve.
I dënuari Memo Tahiri që kish plagosur mora beharin e kaluar, dje në mëngjez u rra në shtëpinë e tij prej meje, por sot mar vesh se balli ka vrarë kushëririn e parë timin për hakmarrje. Unë nesër në mëngjes po nisem për në Kuç, mbasi të jem takuar me luftëtarin.
Shefqet populli po dëshpërohet shumë pse lëshuat robërit ballista, duhen vrarë ose të mbahen ndër batalione- mos ja u kurse lëkurën por bjeru se janë të liq pra venë me ballin pse po të merren me zor, pse nuk arratisen dhe të vijnë me ne.
Të fala Memo Meto.
V. F./ L. P. 17.II.44