(Paris 1919-1920)
Dëmshpërblim që nuk u dha kurrë
Që kur filluan punimet e Konferencës së Paqes në Paris, Esad Toptani paraqiti kërkesat për mbrojtjen e Shqipërisë si vend aleat i Antantës, ç’ka e kishte treguar qeveria e tij, me pjesëmarrjen e trupave në frontin e Orientit përkrah ushtrive të Antantës.
Më 28 maj 1919, në cilësinë e kryetarit të qeverisë shqiptare, i drejtoi Z. Klemanso kryetar i Konferencës së Paqes dhe z. Graillet, konsull i Francës në Shqipëri, një kërkesë për shpërblim dëmi të shkaktuar nga pushtimi austriak.
Në një letër dërguar z. Poincare, kryetar i komisionit të dëmshpërblimeve, kërkoi dëmshpërblimin e familjeve të ushtarëve të rënë në luftë përkrah ushtarëve aleatë. Bashkë me kërkesën, ai i përcolli edhe kopjen e një letre që i dërgonte konsullit francez të Selanikut, më 17 dhjetor 1918, ku i rendiste humbjet që kishte pësuar Shqipëria dhe ai vetë.
Dëmet që kishte pësuar Shqipëria dhe familja Toptani, i saktësonte edhe ish ambasadori i Francës në Shqipëri, Krajevski. Më 23 qershor 1919, ai i dërgoi një notë Drejtorisë Politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.
Krajevski e përsëriti notën më 24 janar 1920, duke dhënë edhe arsyet pse ai dëmshpërblim ishte i merituar.
Dëmet i njihte edhe mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene; dëme që ishin shkaktuar gjatë tërheqjes së serbëve nëpër Shqipëri, të thyer nga austro-gjermanët në frontin e Danubit. Delegacioni i saj, më 14 gusht 1919, i dërgoi një letër Klemanso-së, ku kërkonte që populli shqiptar dhe personalisht Esad Toptani të shpërbleheshin për dëmet e pësuara nga lufta.
Më 30 prill 1920, i dërguari i Francës në komisionin e dëmshpërblimeve, i kthente përgjigje Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës duke e konsideruar këtë kërkesë si të pamundur dhe i kërkonte ministrit që të hiqte dorë.
Delegacioni francez në komisionin e dëmshpërblimeve i përgjigjej letrës së Esad Toptanit dhe I sugjeronte t’i drejtohej qeverive të Fuqive Aleate, që kjo të zgjidhej.
Më 23 maj kishte një letërkëmbim midis të dërguarit të Francës në komisionin e dëmshpërblimeve, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, komisionit të dëmshpërblimeve dhe Konferencës së Ambasadorëve mbi çeshtjen e dëmshpërblimeve të Esad Pashës dhe shqiptarëve të rënë në krah të forcave aleate.
Ato ditë mbrriti në Paris një përfaqësi e Këshillit Kombëtar në Tiranë, e cila u takua me Esad Toptanin dhe i propozoi të merrte kryesinë e qeverisë në Tiranë. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes ishte zhytur në krizë të thellë dhe ishte paralizuar nga rivaliteti i ashpër për pushtet.
Esad Toptani pranoi ofertën e bërë, por u tha se do të qeveriste me të rinj të ndershëm dhe nga “të vjetrit” do të pranonte vetëm Myfid bej Libohovën, doktor në drejtësi. Duhet theksuar se tre nga gjashtë antarët e delegacionit nga Tirana, nuk ishin dakord.
Por… që me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, qeveria e Francës kishte vendosur të mos e lejonte kthimin e Esad Toptanit në atdhe.
Kur u vu në dijeni të këtij vendimi, Esad Toptani i dërgoi qeverisë franceze një letër ku kërkonte të dinte arsyet përse nuk lejohej të kthehej në atdheun e tij.
Pas disa ditësh, ai u vra…!