Qysh në Konferencën e dytë të Labinotit (4 shtator 1943), Partia Komuniste vendosi “të mos njihej asnjë forcë ose lloj pushteti tjetër në Shqipëri përveç pushtetit të këshillave nacional-çlirimtare”. Forcat e tjera politike, deri atëherë herë në bashkëpunim me të dhe herë rivale, i konsideroi si armike dhe pas një muaji u shpalli luftë.
Gjatë luftës u vrejt një dukuri e tillë: kundërshtarëve që kapeshin nga komunistët u bëhej thirrje të bashkoheshin me ta, ndërsa ata që nuk pranonin i ekzekutonin. Shembujt janë të shumtë, por mjafton të përmendim ngjarjen e 25 korrikut 1944 në Dukaj të Tepelenës, ku ata që pranuan thirrjen e komunistëve u radhiten perkrah tyre, ndërsa më shumë se 100 të tjerë u ekzekutuan. -Godit sa më fort, që të thyesh të dobëtit dhe ti kalosh në anën tënde, – ishte udhëzimi i të dërguarit jugosllav pranë Partisë Komuniste Shqiptare.
Ndërkohë, vazhdonte procesi i kundërt: shumica e partizanëve që dezertonin, pasi kapeshin ekzekutoheshin nga shokët e tyre.
Projeksioni mik-armik vazhdoi edhe pas vendosjes së pluralizmit politik. Kështu, ish komunistët që u larguan dhe largohen nga partia e tyre, ata i luftojnë pa mëshirë, edhe kur mbartin vlera njerëzore dhe intelektuale.
E kundërta ndodh me trajtimin që u bëjnë ish të persekutuarëve që bashkohen me ta. I pranojnë dhe i mbështesin edhe kur janë të korruptuar deri në palcë.
Thënë shkurt, vazhdon mbështetja e atyre që i ndihmojnë për të sunduar dhe projeksioni i “armikut” tek ata që mendojnë ndryshe.