Një ndër masakrat e shumta mbi shqiptarët në shekullin XX ka qenë edhe ajo e Bihorit, kryer nw ditwt e para tw janarit 1943, nga detashmenti çetnik i Malitë të Zi.

Më 20 dhjetor 1941, shtabi i Komandës Detashmenteve çetnikë në Jugosllavi i dërgonte udhëzime komandantit të detashmentit çetnik të Malit të Zi, Gjeorgje Llashiç dhe kapitenit Pavle Gjurgjeviç, ku midis të tjerave theksonte se ata luftonin krahas aleatëve të mëdhenj: Amerika, Ingliterra, Rusia dhe Kina etj dhe se fitorja e tyre ishte e sigurt.

Shtabi çetnik nënvizonte qëllimin e luftës së tyre, ku midis të tjerave ishte krijimi i Jugosllavisë së madhe dhe brenda saj Serbinë e madhe. Krahas territoreve të tjera që do të përfshinin në Jugosllavi, ishte edhe Shqipëria e Veriut me Shkodrën.

Për të realizuar planin në fjalë, shtabi çetnik kërkonte pastrimin e territorit të shtetit prej të gjithave pakicave kombëtare dhe të gjithë elementëve që s’kishin mardhënie me racën e tyre, sidomos myslimanët dhe ustashët.

· Bihori si zonë neutrale

Fshatrat shqiptare të Bihorit, në provincën e Senizës dhe të Bjellopoljes, gjatë viteve të luftës së Dytë Botërore përfshiheshin në në zonën e quajtur neutrale, midis Malit të Zi e Shqipërisë, zonë e cila nuk varej, as nga administrimi malazias dhe as ishte përfshirë në Mbretërinë Shqiptare. Banorët e 52 fshatrave, siç shkruhet në një raport të kohës, prisnin me padurim, por me shpresë dhe besim, bashkimin e tyre me atdheun mëmë, Shqipërinë.

· Kryerja e masakrës

Tragjedia e Bihorit ndodhi në ditët 5 e 6 janar 1943. Në 4 janar, në katundin Gubavaç, në breg të Limit, u duk një çetë prej 500 vetësh, e cila e kaloi lumin duke marrë drejtimin e Koritës. Fshati, i alarmuar, njoftoi menjëherë komandantin italian në Bjellopolje dhe ky dërgoi një togë ushtarësh në Gubavaç. Ushtarët dhe komandanti i tyre i “qetësuan” banorët duke u thënë se “këta janë njerzit t’onë, pra nuk duhet qitun pushkë kundër tyne”. Por, ushtarët nuk qëndruan në katund dhe u kthyen brenda ditës në Bjellopolje. Nuk dihej nëse mori kontakt me çetnikët në katund. Relatohej fakti se ushtarët, në të kthyer, kishin grabitur të gjithë qylymat e xhamisë së katundit.

Mirwpo, fjalët e komandantit nuk e qetësuan popullsinë. Me tu larguar ushtarët, gratë, vajzat, pleqtë dhe fëmijët u nisën për në qytet. Në katundin Gulavac mbetën vetëm burrat.

Po atë ditë dhe gjithë natën , çeta të tjera kaluan lumin në Volovad. Në orën dy të mëngjezit, të 5 janarit, krisën tre bomba, që ishin shenja e fillimit të masakrave në të gjitha katundet, ku çetnikët ishin shpërndarë gjatë natës. Mitralozat dhe pushkët hynë në veprim menjëherë. Çetnikët i kishin organizuar pritat në mënyrë që kush të dilte nga shtëpia, të binte nën plumbat e armëve të zjarrit.

· Reagimi i popullsisë shqiptare

Popullsia e zonës neutrale gjykonte se: “Në mos ishte e mujtun të bashkohemi me Shqipni, përse nuk na lanë në Malin e Zi? M’u pranu provizorisht forma e veçantë e Zonës neutrale, përse nuk u vendosën forcat e nevojshme për mbrojtjen e saj? Në mos mund të sigurohej kjo mbrojtje me fuqi zyrtare, përse nuk u organizua me anë të popullit tui i dhënë armët që ka kërkue dhe i janë premtue sa herë? Në mos mund të bëhet edhe kjo, përse të mos na thuhet qartas që t’i bëjmë çajre vehtes s’onë?”

Çetnikët që prishën katundet e Bihorit dhe masakruan banorët “tue ditun të përfitojnë nga përkrahja e autoriteteve italiane – me armë, veshje ushqim e rrogë- dhe tue mos qenë nën kontrollin e plotë të tyre, kanë fitue shumë kuxim në lëvizjet që bëjnë dhe veprojnë shpesh herë si u leverdis, sikurse u provua me ngjarjen e Bihorit, tue e shpërdorue besimin që u është dhënë”.

· Indiferenca e ushtrisë italiane

Në raportin e atyre ditëve të autoriteteve shqiptare në Tiranë, lexojmë : “Komanda ushtarake e Cetinjës, si duket, nuk u ka dhënë edhe kaq rëndësi këtyre ngjarjeve. Kryeparë, flitet në popull, pse nuk mori ndonjë masë të dukshme kundër fajtorëve; nuk dërgoi menjëherë në vendin e ngjarjes ndonjë forcë ushtarake a të karabinierëve që të ndjekin fajtorët, të ndalojë grabitjet nga ana e malazezëve dhe të hetojë shkaqet.

Pas dy a tre ditë, komanda në fjalë paska lajmue autoriteteve në Tiranë “se nuk ka kurrëgjë”, dhe Legatës italiane në Beograd – sepse kjo paska pyetun e ftueme prej “Lidhjes Popullore” të Mitrovicës, – i thotë, “mbretëron qetësi e plotë ndër ato vise”. Kurse edhe një javë mbas kësaj date, thuhet në popull, këmbë shqiptari nuk kuxon të shkeli prapë në katundin e vet të shkretum, se pritej me pushkë nga malaziasit që ishin turrun të grabisin çka kishte mbetë.

Popullsia shqiptare e Zonës neutrale ka vu re me shumë keqardhje se ka oficera të naltë të Ushtrisë Italiane, si Koloneli i Beranës dhe ai që është në Rozhaj, qi nuk tregojnë për popullin shqiptar as kuptim të gjanë, as ndjenja simpathije, as edhe frymë drejtësie. Një katundari të dëshpërum q’i tregoj njanit prej këtyne një fëmi të vogël të therun prej çetnikëve, ai e dëboi tue e kërcënue me revole në dorë. Popullsija shqiptare, përkundra, në cdo rast ka tregue simpathi, mikpritje, bashkëpunim dhe mirënjohje të dukëshme ndaj ushtarëve italianë.

Është për tu habitur se shpesh herë, zyrat ushtarake italiane, kur flasin e shkruajnë për popullin e zonës neutrale, nuk përmendin fjalën “shqiptar” por gjithmonë thonë “musliman”, sipas zakonit serb e malazias.

Ka ba shumë përshtypje të keqe në popull fakti se, kur u hap lajmi i veprës mizore të çetnikëve, një grumbull burrash shqiptar të Pejës e Rozhajt u banë gati të shkojnë në ndihmë të vëllazënve të tyre. Ata, gjithmonë të bindun e t’urtë ndaj autoriteteve, i kërkuan leje komandantit italian që të hyjnë në Zonën neutral. Komandanti nuk e dha lejen dhe ata iu bindën. Komandanti bani ndofta detyrën e tij, se nuk ishte i autorizuem me e dhanë lejen dhe prandaj nuk e dha. Me këtë, ai, pa dyshim u ka ba një shërbim të madh malaziasve, pa dashun. Por e keqja qendron këtu: çetat shqiptare edhe kur asht fjala për mbrojtje jo për mësymje, kërkojnë leje, nuk u epet, binden e tërhiqen. Por çetnikët e Gjurishiqit nuk kërkojnë leje, sigurisht, për të djegur katunde shqiptare dhe për t’i masakrue banorët, domethënë se punojnë mbas qejfit të vet. Përfundimi është se në Zonën neutrale malaziasit janë më të mbrojtur se shqipatrët . Në mos u epet shqiptarëve mundësia të mbrohen vetë, le t’i mbrojnë ata që e kanë për detyrë”.

Autoritetet shqiptare theksonin se vetëm një ndëshkim shembullor i tyre mund të vendoste pak qetësi ndër shpirtërat e dëshpëruar të shqiptarëve të atyre viseve. Mos-ndëshkimi “ka me ua thye krejt zemrën e guximin e shqiptarëve dhe, n’anë tjetër, ka me qenë një inkurajim për çetat e Gjurishiçit për ta vazhdue në krahina të tjera shqiptare veprën që filluan në Bihor, për çfarosjen e fisit tonë ndër ato vise, sikuse e ka shpallur Drazhe Mihajlloviçi.

Përfundimi është se në Zonën neutrale malaziasit janë më të mbrojtur se shqiptarët. Në mos u epet shqiptarëve mundësia të mbrohen vetë, le t’i mbrojnë ata që e kanë për detyrë.

Populli shqiptar i Zonës neutrale, duke e vlerësuar gjendjen shumë të vështirë, pas kësaj ngjarje, “shprehnin dëshirën e zjarrtë për bashkimin me Shqipërinë”.

· Reagimi i shtypit nacionalist

Në shkrimin me titull “Komunizëm apo pansllavizëm”, botuar në 29 dhjetor 1943 në gazetën “Bashkimi i Kombit”, Eqrem Telhaj shkruante edhe për masakrën e Bihorit.
Midis të tjerave ai theksonte:
“…Gjithë shqiptarët e dijnë se dhjetë muaj më parë në Bihor dhe në krahinat e Sanxhakut të Pazarit të Ri u therën si berra 6500 shqiptarë, nuk u kursyen as gratë dhe fëmijët, 200 çupa të gjakut shqiptar u grabitën. Kush i mbrojti këta të mjerë? 54 katunde u rrënuan. Askush s’ndërhyri, asnjë sllav nuk protestoi. Ku ishte Titoja me shokë, Partia Komuniste e Jugosllavisë për Kosovë e Metohi ç’bëri? Ç’bënë shqiptarët çlirimtarë që disa ditë më parë u dhanë urdhëra kategorikë shkollave dhe punëtorisë të bëjnë grevë si shenjë proteste për ekzekutimin e 4 terroristëve maqedonas të dënuar nga gjyqi politik?
Sikur këta 6500 shqiptarë të ishin serbë, malazezë ose bullgarë, c’urdhëra kish me dhanë Dushani, Miladini, Shuli? Ç do të bënte Titoja me shokët shqiptarë? Shqiptarët u dogjën, u therën dhe u harruan për lirinë dhe lumturinë sllave; për qytetërimin dhe realizimin e idesë pansllaviste”.

________________

Bilanci i masakrës së Bihorit:

590 burra të vrarë dhe 165 u prenë kokën.
340 gra të vrara dhe 285 u prenë kokën.
701 fëmijë u prenë kokën dhe 705 të djegur.
447 fëmijë të ngrirë, 266 gra dhe 119 burra.
103 të vdekur nga uria.
359 burra të plagosur dhe 275 gra.
251 gra e vajza të përdhunuara.

 

error: Content is protected !!