Biblioteka private më e madhe në Shqipëri, deri nga viti 1944, ka qenë ajo e Mid’hat Frashërit. Ai e kishte themeluar që në rininë e tij, me gjithë që, shumë libra i kishin humbur nga emigrimi që kishte bërë nga njeri shtet në tjetrin. Biblioteka Frashëri kishte 18.000 vëllime të ndryshme në gjuhet frengjisht, gjermanisht, anglisht, greqisht, turqisht, italisht, shqip e në gjuhë të tjera.
Krahas librave kishte 200 copë dorëshkrime të ndryshme, disa prej të cilave nga albanologë, dokumenta historike, koleksione gazetash dhe revistash në gjuhën shqipe e gjuhë të huaja.
Lënda e bibliotekës ishte Albanologji, Balkanologji dhe gjithçka që i përkiste kombësisë shqiptare.
Frashëri kishte mbledhur të gjitha librat që flisnin për Gjergj Kastrioti- Skënderbeun dhe për Ali Pashë Tepelenën.
Pyetjes së revistës Hylli i Dritës, se kujt do t’ia linte bibliotekën pas vdekjes, Mid’hat Frashëri, duke qeshur i tha: “…nuk kam bërë n’jet të vdes tani afër, megjithë këtë, në rast se del ndonjë Thoma Turtulli në Tiranë dhe të bëj ndonjë ndërtesë biblioteke me emërin Frashëri, jam gati që tani ta vendos biblioteken t’ime, që me gjallje dhe e kam për të plotësuar edhe më tepër dhe për t’i rregulluarë sipas sistemit të fundit të bibliotekave”.