Në vitin 1912-14, Kosova dhe territoret shqiptare në Maqedoni u pushtuan nga shtetet ballkanike. Bejlerët e Kosovës e Maqedonisë u larguan në Tiranë dhe kishin ngritur klubin e tyre, kryetar te të cilit kishin zgjedhur Mehmet Pashë Dërrallën.
-Mehmet Pashë Dërralla vjen një ditë tek unë, – shkruan në kujtimet e tij Murichio, – e më propozon të ndërhyja për t’u shitur pasurinë e tij në luginën e Vardarit (Tetovë) kapitalistëve italianë
Murichio i shkrojti ministrit në Romë e, shpejt i erdhi aprovimi për të filluar tratativat, por duke mbajtur parasysh që të pranohej nëse do të kishte të bënte me kapitalin Italian në bashkëpunim me kapitalin amerikan e akoma, nëse ishte e nevojshme, edhe me kapitalin anglez, por në çdo rast të përjashtoheshin kapitalistët francezë, gjermanë e austriakë.
Shumë bejlerë të tjerë që u ishin pushtuar tokat nga serbët e grekët i bënë të njëjtin propozim si të Mehmet Pashë Dërrallës.
Kapitalistët francezë u interesuan për të blerë çifliqet e bejlerëve shqiptarë në Maqedoni dhe për këtë qëllim dërguan një inxhinier. Por bejlerët i kishin thënë të bisedonin me Muricchion tek i cili kishin besim. Ai kërkoi ndërhyrjen e Esat Pashë Toptanit, që ishte atëherë ministri kryesor i qeverisë, por edhe ai i adresoi tek Muricchio, tek i cili bejlerët gëzonin besim të madh.
-Në mes të majit 1914, – shkruan Muricchio, – erdhi në Durrës nga Roma sinjor Dagna, i dërguar posaçërisht për të më thënë që ministri Sanxhuliano besonte në patriotizmin tim për të bërë shitjen e pasurisë së bejlerëve të Maqedonisë. Iu përgjigja që shkelqësia e tij mund të ishte i sigurtë dhe të ishte i qetë. Zoti Dagua u kthye në Romë, me të njëjtin piroskaf për të informuar ministrin për dështimin e inxhinierit francez.
Disa ditë më pas, më 19 maj, oficerët holandezë të xhandarmërisë goditën me top banesën e Esat Toptanit dhe arrestuan Muricchion.
-Arrestimi im u bë me nxitjen e Legatës austriake, – shkruante Muricchio, – e është e nevojëshme të theksoj faktin se ata i trembeshin pushtetit tim mbi muslimanët shqiptarë dhe më denoncuan tek Princ Wiedi, i cili filloi procedurat kundër meje.