Gjatë viteve 1941-1944 ngjarjet historike u zhvilluan në mënyrë të favorshme për popullin shqiptar dhe territoret etnike, të copëtuar që në vitin 1913, nga konferenca e Londrës.

Në një studim të bërë në qershor 1941 nga Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica e Tafil Boletini në emër të Komitetit të Kosovës, përshkruej situata politike, ekonomike, demografike dhe etnografike e disa zonave të krahinës së Kosovës. Më konkretisht, bëhej fjalë për zonën Pazari i Ri – Senicë- Rozhaj; Mitrovicë – Vuçiternë-Podujevë, etj.

JENI PAZAR (PAZARI I RI) – SENICË- ROZHAJ

Faktori etnografik

Përsa i përkiste zonës Pazari i Ri – Senicë- Rozhaj, në kohën e sundimit osman kishte një popullsi prej 130.000 deri 140.000 frymë. Nga këta: shqiptarë 60.000 deri 62.000, shqiptarë sllavofonë 10000 deri 13.000, boshnjakë 30.000 deri 35.000 dhe serbë 40.000.

· Popullsia thjesht shqiptare formonte një bllok në zemër të zonës me 15 katundet shqiptare të Rozhajës e në krahinën thjesht shqiptare të Tutinës të Pazarit të Ri.

· Shqiptarët sllavofonë ngjiteshin me këtë bllok në rreth të Rozhajës e në qytetet e Pazarit të Ri e të Senicës. Me gjithë që kishin humbur gjuhën nga krushqitë me boshnjakët, ata i kishin ruajtur me fanatizëm zakonet, kostumet, ndjenjat kombëtare dhe traditat e origjinës së tyre.

· Popullsia serbe, në shumicën e saj, banonte në “rrypin” që zgjatej në mes të qyteteve të Senicës e të Pazarit të Ri nga njera anë, e, nga tjetra, krejt vijës së vjetër të kufirit turko-serb.

Në këtë “rryp” nuk kishte popullsi shqiptare, boshnjake apo shqiptare sllavofone. Në kohën e perandorisë osmane, “krejt tokat e kësaj rypine kanë qenë pasuni shqiptare apo boshnjake”, ndërsa serbët ishin bujq.

· Elementi boshnjak i trikëndëshes ishte i shpërndarë: shumica e tij banonte ndër qytete e në fushë të Senicës. Përgjithësisht, kishin simpati të madhe për Shqipninë e shqiptarët.

Gjatë periudhës 1913-1939 ishte zbatuar reforma agrare dhe toka u ishte marrë shqiptarëve e boshnjakëve dhe u ishte dhënë serbëve.

Po të merrej parasysh situata etnike, dukej qartë, se një problem malazias nuk kishte ekzistuar, nuk ekzistonte dhe nuk mund të ekzistonte as në të ardhmen: Malaziasi, duke formuluar rivendikime mbi këtë zonë, çfaqej krejt “utopist i përsosun”, për të vetmen arësye se këtu nuk kishte asnjë malazias e as një njeri që e donte Malin e Zi.

Sipas Komitetit të Kosovës, kishte një rivendikim kroat, për shkak të të qenurit e popullsisë boshnjake, mirëpo, vetëm një demonstratë popullore do të mjaftonte për ta zgjidhur rrënjësisht konfliktin shqiptaro-kroat. Kështu, sipas Komitetit të Kosovës, me tu vu dilema “Shqypni apo Kroaci” përpara popullatave të zonës, shumica dërrmuese e elementit boshnjak do të brohoriteshin aty për aty : “Rrnoftë Shqypnia! Do të vdesim për të!”

Lidhjet shqiptaro-boshnjake ishin të ngushta dhe kishin rëndësi të madhe. Besimi i njëjtë fetar dhe krushqitë gjatë shekujve, kishin ndikuar në afrimin e tyre përballë rrezikut serbo-malazias.

Faktori ekonomik

Situata ekonomike e zonës Pazari i Ri – Senicë- Rozhaj me Kosovën ishte frut i përpjekjeve shekullore, e ndihmuar prej faktorëve politiko-shoqërorë të cilat kishin shërbyer si bazë e shëndoshë për krijimin e konsolidimin e saj. Meriton të shënohet se ndarja administrative osmane qysh prej vitit 1881 e deri në 1912, kishte luajtur një rol të dorës së parë. Me humbjen e Bosnjes, Porta e Lartë e kishte vënë Sanxhakun e Pazarit të Ri në vartësi të ish vilajetit të Kosovës.

Pas vitit 1913, pushteti serb e ai jugosllav, nuk kishte mundur ta ndryshonte këtë njësi e cila kishte mbetur pothuaj e pa-prekun deri më 1941.

Edhe në pikpamje ekonomike kjo zonë ishte e integruar në atë të Kosovës nëpërmjet të cilës merrte drithë dhe e furnizonte me blegtori. Po kështu, pyjet e Rozhajës furnizonin minierat e Mitrovicës. Me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen e Kroacinë nuk kishte marrëdhënie tregëtare gjatë periudhës osmane, madje edhe gjatë periudhes jugosllave ishin fare të pakta.

Faktori historik

Propaganda serbe ishte marrë seriozisht me problemin e ndodhjes së popullsisë shqiptare në tokat e sanxhakut të Pazarit të Ri. Për këtë ishte botuar, më 1913, një broshurë në gjuhën frengjisht e nën firmën e Aleksandër Karaxhorxheviçit. Në këtë vepër, autori pretendonte se “Shqiptarët e Sanxhakut të Jenipazarit janë produkt i njëj fenomeni shoqënor dyfish: islamizmi dhe shqiptarizimi i popullatave sllave”.

Kjo broshurë ishte një ilustrim i teorisë së famshme që fabrikoi shovinizmi serb qysh më 1854 e këtej për t’i justifikuar përpara botës, prirjet e saj imperialiste kundrejt tokave shqiptare në Ballkan. Në fakt, e vërteta është krejt tjetër: shqiptari, përgjithësisht, është asimiluar prej të tjerëve dhe nuk ka asimiluar, pse i kanë munguar krejt faktorët dhe rrethanat historike për të bërë një luftë të tillë.

Ndodhja e popullsisë shqiptare e sllavofone në Sanxhakun e Pazarit të Ri nuk ka të bëjë aspak me atë që pretendonte teoria serbe. Ajo ishte krejtësisht produkt i dyndjes sllave në Ballkan, ku vendasit shqiptarë, për të mbijetuar, u detyruan të kërkonin strehë në male, dmth, bënë një “flux”.

Sa herë që situatat e fushave u normalizuan apo pësuan ndonjë ndryshim në dëm të pushtuesve sllavë, shqiptarët zbritën nga malet dhe u përhapën nëpër fusha, dmth, bënë një “reflux” për t’i zënë tokat e tyre të herëshme.

Shtrirja e perandorisë osmane në Ballkan ishte, para së gjithash, një ngjarje anti-sllave. Shqiptarët përfituan prej saj për t’i zënë viset prej kah ishin përzënë dikur nga invadimi barbaro-sllav. Sipas krerëve të Komitetit të Kosovës, “ndodhja e shqiptarëve ndër tokat e Sanxhakut të Jenipazarit nuk është veç se një pjesë e këtij “reflux”-i”.

Reflux-i shqiptar drejt tokave të zonës Jenipazar – Senicë- Rozhaj, sipas Komitetit të Kosovës, “asht zhvillue gjatë shekujve të sundimit osman, duke u ndihmuar prej elementit sllavo-ilirik, prej boshnjakëve, të cilët, të islamizuem nuk kishin si e pse ta pengojnë këtë “reflux”. Përkundrazi, u vëllazëruan me shqiptarët”.

Më në fund, shqiptarët, rracë ilirike “par excellence” njihen historikisht si banorët e parë të gadishullit ballkanik. Ky realitet historik nuk është përgënjeshtruar prej askujt, Pra, “reflux” shqiptar në kohën e perandorisë osmane nuk mund të gjykohet si pushtim i tokave të zonës në fjalë, prej një elementi të huaj, pasiqë shqiptarët janë në shtëpi të tyre.

ZONA MITROVICË – VUÇITERNË-PODUJEVË

Në gjysmën e qershorit 1941 u nisën për në Beograd zz. Shaban Mustafa e Aqif Bluta, kryetari i bashkisë së Mitrovicës e kryetari i Pazarit të Ri. Në emër të popullsisë së nënprefekturave të Mitrovicës, Pazarit të Ri, Vuçiternit e të Podujevës, i paraqitën komnadantit gjerman të Serbisë një promemorje ku shpjegoheshin arsyet pse popullsia nuk dëshironte kurrësesi, qoftë edhe provizorisht, të përfshihej brenda administratës së Serbisë. Ata deklaruan verbalisht se mënyra më e mirë e zgjidhjes së çeshtjes së tyre do të ishte që, “këto katër nënprefektura të bashkoheshin me Shqipninë e lirë”.

Përgjigja e komandantit gjerman ishte: “Statu quo-ja do të mbahet në këmbë deri më ditën që do të thirreni këtu për të marrë një përgjigje definitive”.

Situata e krijuar ishte në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe nuk mund të ndryshonte, siç dukej, veçse nëpër një përpjekje shumë serioze në Romë e në Berlin. Megjithë këto, Komiteti i Kosovës ishte duke marrë masa për të ndryshuar gjendjen.

Ata zhvilluan veprimtari të dendur për të dërguar nga Kosova një delegacion në Tiranë e në Romë, dhe një tjetër në Beograd e Berlin.

Po kështu, u përpoqën për të shqiptarizuar krejt administratën civile dhe policore të këtyre krahinave. Në realizimin e kësaj pike po ndeshnin në pengesë shumë serioze, mungesën e personelit të nevojshëm. Ata përgatitën një listë për ta dërguar në Tiranë, por çeshtja ishte nëse Shqipëria do t’i përgjigjej në kohë listës në fjalë.

Përsoneli që kërkohej prej Tiranës jo vetëm që duhej të kishte aftësi e zotësi nga pikvështrimi i zanatit, por, edhe një edukatë patriotike e një moralitet politik të shquar pasi popullsia e atjeshme bindej vetëm kur besonte se nëpunësi ishte “i zoti dhe i ndershëm”.

Ata theksonin se një personel jo i kualifikuar, “do të na nxirrte sytë në vend që të na i ndreqte vetullat, dmth do të pësojshim një falimentim moral…”

Rreziku i coptimit të territoreve

Sipas informatave që shkonin nga Tirana, kishte rrezik që një pjesë e viseve shqiptare të fitoheshin nga Bullgarët, Serbët dhe Malaziasit, gjë që kishte alarmuar popullsinë e Kosovës.

Thuhej se viset shqiptare të Tuzit, Hotit, Grudës e Triepshit mund të dilnin duarsh “për tu smadhue Malin e Zi bashkë me Plavë e Guci”.

Gjermania nuk interesohej aspak për fatin e Malazezëve, pra në këtë pikë krejt përpjekjet e tyre u përqendruan në Romë, për të bindur Italinë se çdo zmadhim i Malit të Zi në dëm të tokave njëqind për qind shqiptare provokonte një kundërgrusht dyfish. Do të përsërist ngjarje të përgjaskshme e të njohura që nga viti 1879 dhe se “ as vetë perëndia nuk do të mundet me i ndalue”.

Qarkullonin lajme se në rrezik për tu humbur ishte edhe sektori “Mitrovicë -Viçiternë-Podujevë”. Ky sektor formonte zemrën e Kosovës nga çdo pikë vështrimi.

Për nënprefekturën e Rozhajës theksohej se ishte e fitueme, mirëpo nuk kishin asnjë lajm për fatin që i rezervohej Pazarit të Ri dhe Senicës, kurse Peshteri konsiderohet si i humbun, prapë në favor të Malit të Zi. Peshteri, një krahinë e gjanë malësore thjesht shqiptare, eksportonte cdo vit vagona të tërë me qingja, veç bulmetit dhe leshit, e cila e kalonte eksportin e krejt Shqipnisë së 1913, për sa i përket këtij artikulli.

Flitej më në fund se ishte rrezik të humbisnin në favor të Bullgarisë viset “Shkup-Preshevë-Kumanovë”. Komiteti i Kosovës theksonte se po të rezultonin të vërteta këto lajme, dhe këta katër sektorë humbisnin përfundimisht, Shqipnia do të gjendej pikërisht atje “ku u gjet të nesërmen e firmosjes së traktatit të Shën Stefanit të 1877”.

Dallimi midis administrimit italian dhe gjerman

Administrimi i territoreve shqiptare nga administrata që varej nga autoritetet italiane dhe një pjesë e territorit nga autoritetet gjermane kishte dallime, shpesh esenciale gjë që vërehej edhe në raportin e tyre me popullsinë vendase.

Në Kosovë ishin vendosur trupat italiane dhe batalioni shqiptar “Gramozi”. Mirëpo, autoritetet ushtarake italiane, në zyrat e tyre mbanin përkthyes serbë, malazias dhe sllovenë, tek të cilët autoritetet vendore shqiptare nuk kishin besim. Ata kishin propozuar lista me elementë shqiptarë, por nuk ishin preferuar.

Ushtria italiane e sidomos Karabinieria Mbretnore, për çdo veprim nuk bënte asnjë dallim elementësh, po, përkundrazi “shtërngesat ia rëndonte më shumë elementit shqiptar”.

Në një raport dërguar Mëkëmbësit të Perandorit të Italisë në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Prizrenit, pasi i shpjegonte dobësitë e administratës italo-shqiptare në Kosovë dhe të reparteve ushtarake atje, parashtronte disa ide për të përmirësuar marrëdhëniet me shqiptarët e Kosovës. Ai theksonte se po të mos merreshin disa masa do të ndodhte humbja e simpatisë së elementit shqiptar. Sipas raportit në fjalë, kishte ngatërresa në mes të elementit shqiptar e serb, presion të bullgarëve me elementët e vendit, simpati kundrejt administratës gjermane, përçarje në mes të elementëve shqiptarë, mungesë bashkëpunimi të sinqertë midis elementëve shqiptarë e italianë etj.

Ndryshe nga administrata italo-shqiptare, në zonën që ishte pushtuar nga ushtria gjermane, në çdo veprim ajo i kishte dalluar elementin shqiptar nga ai sllav.

Rol të rëndësishëm në këtë drejtim kishte luajtur Xhafer Deva. Si përfaqësues i popullit të Mitrovicës, Prishtinës, Ferizajt, Kacanikut, Gjilanit, Pazarit të Ri, Podujevës, Senicës e Bellopoljes u ishte prezantuar autoriteteve gjermane duke u thënë se populli i këtyre vendeve dëshironte të kishte një administratë gjermane, pasi autoritetet ushtarake italiane nuk kishin bërë kurrëfarë dallimi në mes të elementëve shqiptarë e sllavë.

Autoritetet gjermane i premtuan se në këto vende do të instalohej një administratë thjesht shqiptare.

Pas kapitullimit të Italisë, në tërë territoret shqiptare u vendosën trupat ushtarake gjermane dhe u instalua administrata shqiptare. Sllavët nuk kishin asnjë ndikim në Kosove dhe vise te tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Vetëm në vjeshtë 1944, kur divizionet e partizanëve shqiptarë u dyndën në Kosovë kinse për të çliruar nga pushtuesit, sllavët vunë nën kontroll të tyre Kosovën dhe territoret e tjera shqiptare.

_____________

Shkrimi është bazuar në dokumentet e fondit “Komiteti i Naltë Civil për Kosovën, Dibrën e Strugën”, viti 1941, dosja 171, f. 1-6; Raporte të Komitetit të Kosovës, datë 30.6.1941, mbi situatën politike, ekonomike, demografike e etnografike të Krahinës së Kosovës.

error: Content is protected !!