(Festimi i 28 nëntorit nga emigracioni politik në Itali, 1959)

Referuar raporteve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit në emigracionin politik, Ali Këlcyra dhe Ernest Koliqi konsideroheshin nga Sigurimi i Shtetit si më rrezikshmit për regjimin e Enver Hoxhës. Në raportin e datës 14 dhjetor 1959, BP i Sigurimit, “67”, raportonte për festimin e 28 Nëntorit nga emigracioni politik në Itali. Midis të tjerave, ai informonte:

“Në festimet kanë qenë: kardinali Miammi, kardinali Ag giamian, këta të dy kanë ndenjur vetëm 10 minuta sa u hap ceremonia dhe u këndua himni i Flamurit. Të tjerë kanë qenë: monsinjor Nigris, ish delegat apostolik në Shqipëri, rektori i priftërinjve italo-shqiptarë me shumë p[riftërinj të tjerë italo-shqiptarë. Prof. Carara, ish senator i demokracisë kristiane dhe president i AIRI (Shoqërisë së refugjatëve intelektualë), ish ministri i marinës tregtare Casiani (italo-shqiptar), Jacomoni, Sola ish ambasador në Shqipëri. Ishin përfaqësues që bënin pjesë në AIRI të Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, Ukrainës. Ishin dhe shumë ish oficerë italianë që kishin qenë në Shqipëri. Nga shqiptarët ata më me rëndësi ishin: Koliqi, Berati, Këlcyra, Vërlaci, Gjon Marka Gjoni, Mehdi Frashëri e shumë të tjerë.

Mungonin vetëm agrarët, kishte nga të gjitha partitë e tjera. Mbasi u këndua himni dhe të dy kardinalët shkuan, filloi të flasë Ali Këlcyra. Ky fillojë të tregojë të gjithë historinë e pavarësisë shqiptare, për Lidhjen e Prizrenit e të tjera, duke ardhë deri në kohën e tanishme. Tha se Enver Hoxha me shokë, jo vetëm që është armiku jonë politik, por edhe armiku i jonë nacional, pse ka abdikuar të gjitha festat kombëtare nga kalendari. Enver Hoxha mendon se neve na ka mund, se neve jemi të shkatërruar në këto vjetë jashtë Atdheut, por duhet të dijë se nuk është e vërtetë, këët e tregon kjo festë që na mbledh sonte të gjithë bashkë ku duam ti tregojmë të gjithë botës së lirë se edhe Shqipëria dhe populli i saj don të bashkohet me të. Neve jemi gati kurdoherë me luftue e punue për çlirimin e Atdheut tonë dhe për suksesin e demokracisë. Ali Këlcyra foli shqip. Pastaj, i paraqitur nga Dhimitër Berati, e mori fjalën Ernest Koliqi, i cili foli pak dhe italisht. Ai falënderoi të gjithë të huajt dhe shqiptarët që morën pjesë, tha se kjo nuk ishte një festë por një mbledhje për të kujtuar Atdheun tonë, ilakatin dhe miqtë tanë që janë atje dhe për ti treguar botës se Shqipëria duhet të lirohet nga vuajtjet e komunizmit, se duhet të hapen burgjet ku kemi prindërit, vëllezërit dhe miqtë tanë. Duhet të lirohet për me u bashkue me shtetet dhe popujt e tjerë të lirë dhe demokratik. Pastaj i paraqitur nga Koliqi e mori fjalën deputeti Cassiani”.

Kur pjesëmarrësit filluan të pinin, – vazhdonte “67”, “Ali Këlcyra, Ndue Gjomarkaj, Rakip Frashëri komentuan se festa doli shumë e bukur me dy kardinalët dhe gjithë ato personalitete, vetëm se mungonte përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme me gjithë që i kihsin dërguar ftesë. Ali Këlcyra tha se ai sot nuk na njeh dhe nuk çan kryet për neve, pse ka hap marrëdhënie të mira me qeverinë e Enver Hoxhës dhe prandaj është e kotë që i kemi çuar edhe ftesën. Personat që deshnin më tepër të dukeshin ishin Koliqi dhe Këlcyra…”

error: Content is protected !!