Nga një letër e Jorgji Meksit, dërguar revistës “Leka” më 16. 2. 1938, marrim vesh dicka më tepër se dimë për ngjarjet e vitit 1912 dhe takimin e tij me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Meksi shkruante se në 1912 gazetari i njohur anglez, J. Bourchier, korespondent i “Times” në Ballkan, i cili ishte agjenti kryesor i “Lidhjes Ballkanike”, shfaqi mendimin se do të qe në interes të shqiptarëve të bashkoheshin edhe ata me të tjerët shtete ballkanikë, duke dhënë një sasi njerëzish të armatosur. Për këtë qëllim, Jorgji Meksi bëri një udhëtim në Shqipëri të Jugut, per te biseduar me shqiptaret e njohur.

-Duke shkuar nga Korfuzi, – shkruante Meksi, – takova atje Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Siç shkruante Meksi, Ismail Qemali i kishte thënë: “Në Shqipëri, që vete, thuaju konpatriotëve tonë të pushojnë lëvizjen edhe të jenë të qetë. Se ato që kërkojmë nga Turqia i muarmë. Unë vete në Stamboll të bëhem ministër, mbase edhe kryeministër”.

Duke vijuar udhëtimin, Meksi shkoi në Janinë, Gjirokastër, Delvinë dhe Sarandë. Por, sipas tij, nuk gjeti gjëkundi “një organizim politik, një qendër, një vatër të një veprimi kombëtar”.

Duke u kthyer në Korfuz, ai botoi një telegram, por pati protesta nga shqiptarët e Rumanisë.

Zhvillimi dhe vendimi i mitingut të tyre u botua në gazetën “Atdheu”, që dilte në Kostancë të Rumanisë prej avokatit z. Joan Lehova.

Një tentativë tjetër për të tërhequr shqiptarët në aleancën e shteteve ballkanike bëri edhe Rizof, vëllai i ambasadorit të Bullgarisë në Romë. Ai shkoi në Korfuz ku mblodhi disa nga shqiptarët e atjeshem dhe u tha se, qeveria bullgare dhe vet Mbreti ishin filoshqiptarë edhe dëshironin një afrim me popullin shqiptar. Por as vizita e tij nuk pati rezultat.

error: Content is protected !!