Nga viti 1877 deri në 1885 çështja kombëtare mori zhvillim të vrullshëm. Në Stamboll e në Bukuresht u krijuan shoqëri dhe filluan të shtypnin libra e gazeta në gjuhën shqipe.

Në qytetet kryesore të Shqipërisë u dërguan ftesa me këshilla që të kërkonin hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.

Shqiptarët që kishin themeluar shoqërinë shqiptare në Stamboll, me ndërhyrjen e Naim Frashërit, morën leje nga Ministria e Arsimit të Perandorisë për të çelur shkollë private në gjuhën shqipe, në Korçë. Leja u dha në emrin e Pandeli Sotirit nga krahina e Përmetit, që banonte në Stamboll.

Shoqëria “Drita” e Bukureshtit në marrëveshje me atë të Stambollit kërkuan të bisedonin me këshillat kishtare dhe dhespotët që të futej gjuha shqipe në shkollat që administroheshin prej Patrikanës. Për këtë qëllim u dërgua nga Bukureshti anëtari i shoqërisë Thimi Marko, i cili erdhi në Korçë në verë të vitit 1885 dhe u paraqit në mbledhjen e Mitropolisë ku u tregoi dëshirën e gjithë korçarëve të Bukureshtit. Ai u dha edhe një letër nga Anastas Lakçe, në të cilën Lakçeja i shkruante Dhimogjerondisë se, “interesi e donte që të futej gjuha shqipe në shkollat e komunitetit të Korçës, që të mësohej nga çunat e vajzat”.

Këshilli kishëtar bashkë me Dhespotin e asaj kohe (Fillotheos) ishin dakord se mund të bëhej një punë e tillë; po, më pas, thanë se duhej leje nga Patriku. Leja u kërkua, po përgjigja ishte që nuk mund të pranohej në shkollat e komunitetit të Korçës një gjë e tillë, pasi nuk vinte nga dëshira e popullit, “po nga disa njerëz të blerë prej propagandës Austriake, e nga disa Protestanë!” Refuzimi shkaktoi grindje midis këshillit dhe Jovan Kosturi u largua nga mbledhja.

Atëherë dërguan edhe thirrën Pandeli Sotirin, i cili në mbarim të vitit 1885 çeli shkollën të parë shqipe për djem e vajza në Korçë. Mytesarif i Korçës ishte Mahmud pashë Elbasani, i cili e përkrahu.

Ndërtesa ku u çel shkolla ishte e vëllazërisë Kristaq Terpo, të cilët ia falën shkollës. Për vitin shkollor 1885-1886 Pandeli Sotiri pati ndihmës Thanas Sinën nga Postenani i Leskovikut, ndërsa për gjuhën turqishte avokat Ibrahim Efendinë. Atë vit e vitin pasardhës shkolla pati afro 200 nxënës, djem e vajza.

Sipas Nuçi Naçit, Pandeli Sotiri kishte grua greke nga Fanari, e cila e detyroi të largohej dhe shkolla mbeti në duart e Thanas Sinës. Pandeliu shkoi në Starnboll ku, pas ca kohës, gjeti vdekjen. Atëhere u fol se e kishin flakur nga dritaret e shtëpisë tre katëshe ku rrinte dhe se vdekjen “i’a përgatiti e shoqja edhe i vjehrri”.

Viti 1887-1888 u çel me mësues Thanas Sinën të cilit i dhanë ndihmës Petro Ninin nga Luarasi i Kolonjës. Por, meqë leja i ishte dhënë Pandeli Sotirit shkolla pati probleme dhe shumë prindër i larguan fëmijët e tyre nga shkolla. Prej 200 nxënësve sa ishin numri i tyre zbriti në 80 e më pak.

Në fillim të vitit 1888 Thanas Sina dha dorëheqjen nga që s’ kishte leje private për të mbajtur atë shkollë. Petro Nini Luarasi, që sipas Nuçi Naçit ishte i patrembur, mori drejtorinë e shkollës. Për vitin shkollor 1888-1889 mësues ishin vetëm ai dhe për turqishten avokati Behlul Efendiu, dhëndër prej bije i Ibrahim efendiut që u përmend më sipër.

Duke qenë se Petro Nini Luarasi e mbante shkollën pa pasur leje private, e kallëzuan te qeveria me qëllim që të mbyllej. Në atë kohë, Valiu i Manastirit i shkruante Mytesarifit të Korçës: “Kjo shkollë u çel si u çel, lëreni mos e trazoni; shikoni vetëm që të mos çelen të tjera”. Numri i nxënësve u pakësua deri në 40.

Provimet përfundimtare bëheshin çdo vit, nga datat 10 deri në 20 qershor, dhe në kremtimin e rastit që zhvillohej në mengjezin e së djelës midis këtyre dy datave, ftoheshin të gjithë nëpunësit dhe dashamirët e arsimit kombëtar.

Deri në vitin shkollar 1887 kishte edhe vajza në shkollë, por pasi Gjerasim Qiriazi në 1886 çeli shkollë shqipe për vajzat, ato u larguan në atë shkollë. Pasi u zhvilluan provimet e vitit 1890, këshilli administrativ i shkollës dërgoi Petro Ninin në Stamboll, Bullgari dhe Rumani që të mblidhte fonde për shkollën.

Viti shkollor 1890-1891 u çel me një buxhet të begatë dhe me shpresa të mëdha për të ardhmen. Drejtor atë vit u emërua Janko Minxha, dhëndri i Koto Hoxhit prej Qestoratit, mësues i zoti që ishte diplomuar në gjuhën frëngjisht dhe turqisht, në shkollën Sulltanie. Petro Nini ishte si ndihmës dhe kishte në kujdestari shkollat që u çelën në Kolonjë. Nxënësit për atë vit u shtuan dhe numri i tyre arriti në 95 deri 100. Interes patwn nw mwnyrw tw veçantë edhe djem bejlerësh për të marrë mësime në gjuhët frëngjisht e shqip.

Që kur u çel shkolla shqipe kishin ardhur shumë djem myslimanë dhe në vitet 1885-1886 -1887 ishin më shumë se 30, por më pas numri i tyre ra deri në 10 dhe ata vinin vetëm të premteve, kur shkollat turqishte ishin të mbyllura.

Sipas Nuçi Naçit, drejtori Janko Minxha, “sikur të kishte sjellje më të mira, sikur të mos ishte miku i verës dhe i rakisë edhe sikur të kishte karakter më të mbaruarë, pa fjalë se do të bëhej mjaft përparim. Po ai mërziti vet vetwhenë, me pirje e me sjellje të këqija, kështu që; pa u bërë provimet e vitit 1891, shumë prindër i hoqën fëmijët. Petro Nini dha dorëheqjen se nuk duronte dot”.

Provimet e vitit 1891 u bënë të pa rregullta; Janko Minxha u pushua dhe me qenë se Petro Nini kishte grindje edhe me kujdestarët e shkollës, u thirr të merrte drejtimin e shkollës Nuçi Naçi.

Viti shkollar 1891-1892 u çel me drejtor Nuçi Naçin, me ndihmës vetëm shërbëtorët e shkollës dhe për turqishten Hafiz Aliu. Kështu vazhdoi edhe vitet e tjerë deri në mbarim të vitit 1895. Nxënësit ishin të paktë dhe numri i tyre arrinte në 60 – 80 në dimër, ndërsa në verë nuk mbeteshin më shumë se 45-50. Drejtori dhe mësuesi, nuk kishin diplomë, po vazhdonin me dijeni të qeverisë.

Pasi u bënë provimet e vitit 1895 në 20 qershor, Nuçi Naçi, i dëshpëruar nga rezultatet dha dorëheqjen dhe u largua në Egjipt. U thirr përsëri Petro Nini, po ai nuk pranoi; banonte në katund dhe merrej me punët e tij.

Atëherë drejtimin e shkollës e mori Kristaq Vaja nga Gjirokastra, i cili në vitin shkollor 1896-1897 pati për ndihmës Nikollaq Zografin.

Sa për leje, qeverisë i u paraqit ajo që i ishte dhënë nga Manastiri Petro Ninit, me një shkresë, nga ana e tij, se Nuçi Naçi ishte zëvendës i tij, pasi Petrua, pretendonte se për shkaqe shëndetësore kishte nevojë të banonte në Luaras.

Qeveria osmane këtë leje nuk e quante të rregullt dhe kërkonte transferimin e lejes në emër të Nuçi Naçit, të cilit i kërkonin edhe diplomën, për t’i dhënë lejen.

Naçi nuk kishte diplomë, dhe kështu me anë të një lutjeje legale, në mars 1898, u kërkua prej policisë një kohë për 3 muaj që të plotësoheshin kërkesat e qeverisë.

Policia e dha afatin e duhur, po Mytesarifi këtë pranim të policisë nuk e pëlqeu, dhe i dërgoi aktet te prokurori, që të dënohej Nuçi Naçi.

Prokuror atëherë ishte Avni Gjinokastra, me ndjenja kombëtare, i cili lajmëroi miqtë dhe i këshilloi ç’duhej bërë. Pas dy ditë Nuçi me anë të një kërkese tjetër u paraqit përpara valiut Abdyl Qerim Pashajt, i cili e priti miqësishit. Valiu ia përcolli letrat përkatëse drejtorit të arsimit të vilajetit, me urdhër që të merrej në provim Nuçi Naçi dhe t’i jepej leja për të mbajtur çelur këtë shkollë “se ashtu e donte nevoja”.

Drejtori e thirri pas dy ditë z. Naçi dhe e morën në provim përpara një komisioni, i cili përbëhej nga dy mësues myslimanë, një mësues rumun dhe një bullgar. Më 25 qershor Nuçi Naçit iu dha diplloma edhe leja në dorë.

Ishte gëzim i madh i shqiptarëve patriotë të Manastirit dhe në shumë shtëpi u shtruan gostira për fitimin e kësaj çështjeje.

_______________

Për më tepër në: Revista “DITURIJA”, 1 Mars 1927, nr. 5, f. 166-176; Nuçi Naçi, Shkolla shqipe në Korçë.

error: Content is protected !!