Vicenzo Muricchio, kolonel italo – arbëresh e më vonë gjeneral, një ndër dy përfaqësuesit e Italisë pranë Princ Wiedit, në librin me kujtime “Ricordi D’ Albania”, ka dhënë dëshmi me vlerë për ngjarjet e periudhës mars-maj 1914 në Shqipëri.

Sipas tij, në vitet 1912-14 bejlerët e Kosovës e Maqedonisë kishin ardhur në Tiranë dhe kishin ngritur klubin e tyre, kryetar i të cilit ishte Mehmet Pashë Dërralla.

Mehmet Pashë Dërralla vjen një ditë tek unë, kujtonte Muricchio, e më propozoi të bënim procedurën e nevojshme për tu shitur të gjitha pronat e tij, që ndodheshin në pjesën e sipërme të luginës së Vardarit (Tetovë), kapitalistëve italianë. Unë i shkrojta ministrit në Romë e shpejt më erdhi aprovimi për të filluar tratativat. Shumë bejlerë të tjerë që u ishin pushtuar tokat nga serbët e grekët më bënë të njëjtin propozim si të Mehmet Pashë Dërrallës.

Roma e udhëzonte që nëse do të ishte e nevojshme, të pranohej bashkëpunimi i kapitalit italian me kapitalin amerikan madje edhe me kapitalin anglez, por në çdo rast të përjashtoheshin kapitalistët francezë, gjermanë e austriakë.

Tratativat e tilla i morën vesh edhe kapitalistët francezë, të cilët u interesuan për të blerë edhe ata çifliqe të bejlerëve shqiptarë në Maqedoni dhe për këtë qëllim dërguan një inxhinier. Por bejlerët i kishin thënë të bisedonte me Muricchion tek i cili kishin besim. Inxhinieri kërkoi ndërhyrjen e Esad Pashë Toptanit, që ishte atëherë ministri kryesor i Princ Wiedit, por edhe gjenerali e adresoi tek Muricchio, pasi sipas Toptanit, bejlerët gëzonin besim të madh tek ai.

Në mes të majit 1914, – shkruan Muricchio, – erdhi në Durrës nga Roma sinjor Dagna, i dërguar posaçërisht për të më thënë që ministri Sanxhuliano besonte në patriotizmin tim për të bërë shitjen e pasurisë së bejlerëve të Maqedonisë. Iu përgjigja që shkëlqesia e tij mund të ishte i sigurt dhe të ishte i qetë. Zoti Dagua u kthye në Romë, me të njëjtin piroskaf për të informuar ministrin për dështimin e inxhinierit francez.

Disa ditë më pas, më 19 maj 1914, oficerët holandezë të xhandarmërisë goditën me top banesën e Esad Pashë Toptanit dhe arrestuan Muricchion. Arrestimi im u bë me nxitjen e Legatës austriake, – shkruan ai, – e është e nevojshme të theksoj faktin se ata i trembeshin pushtetit tim mbi myslimanët shqiptarë dhe më denoncuan tek Princ Wiedi, i cili filloi procedurat kundër meje.

 

Vicenzo Muricchio, Ricordi D’ Albania, p. 28-32.

error: Content is protected !!