Çdo 5 maj, përsëritej rituali i përvitshëm: nxënësit njoftoheshin një ditë më parë të mblidheshin tek lapidari kushtuar dëshmorëve, madje mësuesi i letërsisë kërkonte nga nxënësit që u kishte vënë detyrë të recitonin, të përgatiteshin mirë.
Edhe atw vit, nxënësit u rreshtuan përpara lapidarit të ndarë sipas klasave, ndërsa kooperativistët, prindër të tyre, në anën tjetër.
Pasi u vendosën kurorat me lule, tek shkallët e lapidarit u ngjitën sekretari i partisë, kryetari i frontit, “veterani” i fshatit, drejtori i shkollës dhe një nxënëse.
I pari e mori fjalën sekretari i partisë; foli për Partinë, për dëshmorët, për ditët e lumtura, etj. Pas tij foli veterani, që, ç’është e vërteta nuk kishte qenë asnjë ditë në luftë, filluan recitimet e nxënësve.
Recitoi e para, i dyti, i treti… morën duartokitje dhe përqafimin e shokëve të partisë.
Ndërkohë, nxënësja tek lapidari thirri emrin e nxënëses më të mirë të shkollës. Shumica e duartrokitën sa dëgjuan emrin e saj, por për çudi fytyra e shokëve të partisë u nxi. Panë njëri tjetrin në sy dhe hodhën vështrimin e egër mbi drejtorin, i cili u bë baltë.
Nxënësja, recitoi siç dinte vetëm ajo, korri brohoritjen e të pranishmëve, por fytyrat e nxira nuk i hodhën sytë mbi fytyrën e saj të bukur.
Nxënësja tek lapidari u mat të thërriste nxënësin e radhës, por drejtori e tërhoqi prej krahu. Programi kishte përfunduar. Përse?
Nxënësja më e mirë e shkollës, që recitoi aq bukur, ishte mbesa e një nacionalisti. Kjo i kushtoi mësuesit të letërsisë një kritikë të ashpër që e kishte caktuar të recitonte, ndërsa drejtorit vrejtje të rëndë.