Dëshnica, zonë në nënprefekturën e Përmetit, ka qenë e dëgjuar për atdhetarizëm dhe mu për këtë, komunistët e patën mjaft të vështirë për të ushtruar influencën e tyre gjatë viteve të luftës e më pas. Komunisti i parë në krahinë është i tetorit 1943, kohë kur PKSH shpalli luftën civile.
Duke mos qenë në gjendje të ndikonin politikisht mbi popullin e krahinës, më 16 tetor 1943, komunistët formuan në katundin Kajcë një batalion partizan, për të kthyer situatën në favor të tyre, nëpërmjet dhunës. Kjo bëri që fshati Kajcë të konsiderohej si “Moska e vogël”.
Më 24 tetor 1943, zëvëndës komisari i batalionit Dëshnica, i drejtonte një letër eprorëve të tij, ku midis të tjerave shkruante:
“Reaksionarët më të mëdhenj dhe udhëheqësit e Ballit janë: Karafil Zhepova, Gani Zhepova, Ibrahim Bënja, Hamit Xhunga. Të gjithë këta element (mos të harrojmë kokat e reaksionit si Ali Këlcyra dhe Baba Kamberi zogisto-ballista) ndodhen këtu.
Zhdukja e tyre do të ishte mirë larg Dëshnicës, për arësye se neve lidhur ngushtësisht me masat e gjera të popullit dhe të gjithë duke përfshirë Beun, nuk e kanë humbur krejt simpathinë në popull, për arësye se kjo krahinë ka mbetur tepër e pa prekur nga Lëvizja Nacional-Clirimtare dhe se të sipërmit nuk janë demaskuar gjerë në këtë krahinë… “
Zëvendëskomisari i batalionit dhe autor i letrës, një komunist i dëbuar nga celula e Kurveleshit për imoralitet, nuk ishte i vetmi që ishte dërguar në Dëshnicë. Banditë nga Skrapari, Kurveleshi, dhe nga Zona të tjera, të njohura për bëmat e tyre, kishin venë një yll të kuq në ballë dhe terrorizuan popullin e krahinës për muaj me radhë.
Pasi morën pushtetin, krahinës i vonë nofkën “reaksionare” që i mbeti deri në fund të sundimit komunist.