Deri në vitin 1961 regjimi komunist nuk i kishte kushtuar ndonjë rëndësi 28 nëntorit si ditë e Shpalljes së Pavarësisë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik u ndodh i izoluar dhe për të kaluar krizën organizoi veprimtari të shumta për të festuar 50 vjetorin e kësaj ngjarje historike. Për këtë qëllim, strukturat e regjimit në rrethe propozonin emrat e njerzve që duhej të dekoroheshin nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, ndërsa në qendër u ngrit një komision për të zgjedhur emrat më të përshtatshëm.

Interesant ishte numri i të propozuarëve dhe të aprovuar nga komisioni qendror. Nga 1106 te propozuar, numrin më të madh e propozuan në Vlorë, plot 262, nga të cilët komisioni aprovoi 133; në Korçë u propozuan 139 emra dhe u aprovuan 63, në Gjirokastër u propozuan 107 dhe u aprovuan 48 dhe në Shkodër nga 75 propozime u aprovuan 38 persona.

Nga 586 te aprovuarit gjithsej, më pak u aprovuan nga Lezha dhe Librazhdi nga 2 persona, Gramshi 5, Puka 6, Lushnja 7, qyteti i Tiranës dhe rrethi 23 e kështu me radhë.

Qysh atëherë funksionoi pak a shumë e njëjta mënyrë, gjë që vërtetonte edhe politizimin që regjimi u bëri edhe ngjarjeve historike në funksion të ruajtjes së sundimit mbi popullin.

Ishte e njëjta llogjikë edhe në ndërtimin e aparatit të shtetit dhe në mënyrë të veçantë në funksionimin e strukturave të dhunës, ku numri më i madh ishte nga këto rrethe.

error: Content is protected !!