PLATFORMA POLITIKE E PLENUMIT TË KQPPSH, 14 MAJ 1951

(…Çdo komunist në radhë të parë dhe çdo qytetar i Republikës sonë të bëhet një “çekist”)

“1- Të forcohet lufta kundër armikut të klasës në fshat, kun­dër kulakut. Partia të shpejtojë identifikimin e kulakëve, të marrë masa për kufizimin ekonomik dhe të luftojë për izolimin politik të tyre duke demaskuar veprimtarinë e tyre armiqësore dhe duke tërhequr në këtë luftë fshatarësinë e varfër në radhë të parë dhe fshatarësinë e mesme.

Për këtë, organet drejtuese të Partisë në rrethe dhe organizatat bazë të Partisë në fshat të zbatojnë udhëzimet e Komitetit Qendror dhe të mos lejojnë shfaqje oportuniste në zbatimin e vijës së Partisë në fshat.

Byroja Politike, Sekretariati dhe aparati i Komitetit Qendror të kontrollojnë zbatimin e këtyre vendimeve dhe të ndihmojnë or­ganizatat e Partisë në rrethe.

Organet shtetërore dhe ekonomike që kanë lidhje me problemet e fshatit të zhvillojnë gjithë punën e tyre, duke u mbështetur në udhëzimet e Komitetit Qendror mbi zhvillimin e luftës së klasave në fshat.

2.-Të forcohet vigjilenca revolucionare për zbulimin e aktivitetit armiqësor në ndërmarrjet ekonomike, në administrata dhe veçanërisht në tregëti. Mosrealizimi i planit, shpërdorimet dhe dëmtimet e pasurisë së shtetit, vjedhjet dhe abuzimet, sjelljet arrogante dhe të shkujdesshme ndaj kërkesave dhe lutjeve të popullit, burokratizmi dhe konfuzioni, janë shfaqje të punës armiqësore, prandaj prapa këtyre duhet kërkuar armiku. Për zbulimin e punës së armikut është e nevojshme të forcohet kontrolli në punë dhe të përcaktohet mirë përgjegjësia personale.

3.-Të goditen më rreptë armiku i klasës, sabotatorët, dëmtuesit e pasurisë së shtetit, shkelësit e ligjeve. Në radhë të parë është e nevojshme të goditet oportunizmi në organet gjyqësore dhe të prokurorisë dhe të merren masa efikase për përmirësimin e punës në to.

4.-Të mbahet parasysh se armiku përpiqet me të gjitha mënyrat të depërtojë në radhët e Partisë, me qëllim që, duke u fshehur prapa teserës së Partisë, të na luftojë më lehtë. Këtë ai e përdor sot si një nga metodat kryesore të tija. Prandaj vigjilenca re­revolucionare duhet të forcohet brenda radhëve të Partisë. Një punë
e madhe për spastrimin dhe forcimin e Partisë duhet bërë me verifikimin e dokumentave të Partisë, për të cilin duhet të tregohet një kujdes i madh nga e gjithë Partia.

Duhet të tregohet një kujdes i madh për zbulimin e armiqve brenda radhëve të Partisë, sepse ai me shumë mjeshteri i fsheh mendimet, pikëpamjet dhe aktivitetin e tij armiqësor, duke u sjellë me hipokrizi dhe servilizëm. Për këtë arësye është e domosdoshme të luftohet me ashpërsi çdo shfaqje dhe pikëpamje e shtrembër në kundërshtim me vijën e Partisë, duke luftuar liberalizmin, oportunizmin, zëmërgjerësinë, butësinë, mbeturinat mikroborgjeze, gabimet e përsëritura në punë, pse kështu i hiqet mundësia armikut që duke u maskuar, të zhvillojë aktivitetin e tij armiqësor. Të luftohet pa mëshirë kundër çdo shfaqjeje disfatizmi të papajtueshëm me Partinë tonë luftarake dhe revolucionare.

Lufta kundër këtyre shfaqjeve duhet të forcohet jo vetëm në Parti, por edhe në organet shtetërore, në organizatat e masave dhe kudo.

Të jetë e qartë se burimi i forcës së Partisë qendron në atë që ajo është e papajtueshme me oportunizmin dhe me çdo shfaqje armiqësore.

5.- Organet udhëheqëse të Partisë të tregojnë kujdes të madh për forcimin e punës politike të Partisë me masat, lidhur kjo me situatën ndërkombëtare e të brendshme, me ashpërsimin e luftës së klasave. Partia duhet të mobilizojë dhe të aktivizoje në këtë drejtim shumë më tepër organizatat e masave.

Drejtoria e propagandës pranë Komitetit Qendror dhe seksionet e propagandës të komiteteve të Partisë në rrethe kanë detyrë të shtojnë shumë më tepër kujdesin për këtë problem me rëndësi shumë të madhe për Partinë tonë dhe të fuqizojnë rolin e shtypit e të mjeteve të tjera të agjitacionit e të propagandës.

Forcimi i vigjilencës revolucionare është i lidhur me mbrojtjen e pavarësisë së vendit tonë, prandaj Partia duhet të edukojë gjithë masat e popullit për të qenë vigjilente dhe të gatshme për mbrojtjen e atdheut, të shtojë në to dashurinë për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për Ushtrinë tonë Popullore dhe të bëjë që çdo komunist në radhë të parë dhe çdo qytetar i Republikës sonë të bëhet një “çekist”. Të forcohen gjithnjë e më shumë organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ushtria jonë Popullore që janë garancia e lirisë dhe e të gjitha fitoreve të po­pullit tonë”.

______________

PPSh, Dokumenta Kryesore, Tirane 1972, vellimi i dyte, f. 186, 187, 188.

error: Content is protected !!