Në mbledhjen me sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, mbajtur më 9 maj 1989, Ramiz Alia analizoi ngjarjet në Kosovë dhe pretendimet e Jugosllavisë. Jugosllavët theksoi ai, “zhurmë bëjnë për të krijuar përshtypjen se në Shqipëri persekutohen fetë. Për të mashtruar opinionin publik lidhur me ngjarjet tragjike të Kosovës, si dhe për të shpifur kundër Shqipërisë, jugosllavët zgjodhën tribunat e organizatave ndërkombëtare. Kështu problemin e fesë e ngritën dhe në debatin mbi çështjen e të drejtave të njeriut në Komitetin Social të Këshillit Ekonomik e Shoqëror të OKB-së (EKOSOK), duke u munduar ta paraqesin çështjen sikur në Shqipëri persekutohen fetë, bile përdorin si shembull fenë katolike dhe ortodokse për të na futur në grindje me Italinë e Greqinë. Po myslimanët çfarë janë? Myslimanët janë nacionalistë, shprehen ata, nuk janë komunistë, pra ata janë fundamentalistë islamikë. Këtë e bëjnë për t’i paraqitur kosovarët që janë myslimanë si fundamentalistë islamikë, si terroristë, që shfrytëzojnë çdo mundësi. Propaganda e tyre është vërtet e rreme dhe shpifëse, por mos harroni se kur përsëriten vazhdimisht, profka të tilla diçka mbetet te njerëzit, sidomos te ata që nuk janë në korent të ngjarjeve”.

AQSH, fondi 14/APOU/ viti 1989, dosja 28, f. 41-47; Mbledhje e shokëve sekretarë të Komitetit Qendror të Partisë.

error: Content is protected !!